Nazife Krasniqi, përfaqësuese e punëtoreve, tha se shumica e grave janë duke punuar në kuvend për mbi 20 vjet dhe se grevën nuk do ta ndalojnë deri në plotësim të kërkesave të tyre.
Ajo ka thënë se operatori gjatë grevës vetëm një herë ka ardhur që të bisedojë me to dhe se në atë takim u ka thënë se e kanë të ndalura që të grevojnë në oborrin e kuvendit.
Krasniqi ka shtuar se në lidhje më këtë kanë kërkuar që të njoftohen në formë zyrtare, por që nuk kanë pranuar një njoftim të tillë.
“Sot është dita e 39-të, do të thotë po përmbyllen 6 javë të plota me ditën e sotme. Ne grevën nuk e ndërpresim deri në plotësimin e kërkesave tona. Kërkesat tona janë që të rriten pagat. Operatori nuk ka ardhur asnjëherë me bisedue me ne, me përjashtim në javën e tretë është dalë këtu operatori me një zyrtar të kuvendit që është kompetent për këtë punë, drejtorin e Shërbimeve teknike na kanë ftuar në një sallë edhe na është prezantuar një urdhër që ose keni me fillue punën nga e hëna, është fjala për javën tretë, ose më ju nuk guxoni që të bëni grevë në oborr të kuvendit se është urdhër i kuvendit”.
“Ne atë urdhër e kemi kërkuar në mënyrë zyrtare të na dërgonin, nuk ka pasur problem edhe në shesh kishim qëndruar, atë urdhër as nuk na ka dërguar në mënyrë zyrtare as nuk na ka dhënë me shkrim. Operatori më as nuk ka ardhur që të bisedoja, kanë kaluar këndej, më falni në shprehje, sikur të kalonin para varreve, as me përshëndet, a jeni mirë se ne jemi punëtore të tyre”, ka thënë ajo.