Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Disa vullnetarë polakë u ndihmojnë ukrainasve të përballen me luftën

Disa vullnetarë polakë u ndihmojnë ukrainasve të përballen me luftën

Një vit më parë, Grazyna Slawinska po ndihmonte në dërgimin e ndihmave humanitare për njerëzit që kishin mbetur në Bahmut, qytetin lindor të Ukrainës, i cili më vonë ra në duart e forcave ruse pas një sulmi brutal disamujor.

Si një 33-vjeçare, banore e qytetit jugor polak të Krakovit, ajo u godit nga predha e një sulmi rus me artileri në janar të vitit 2023. Ajo shpëtoi, por iu amputua këmba e djathtë.

Pas pesë muajve shërim dhe terapi fizike, dhe tani e pajisur me një këmbë protetike, Slawinska u kthye në Ukrainë. Ajo tani jeton në qytetin e dytë më të madh, Harkiv, ku kalon ditë dhe natë të gjata, duke ndihmuar njerëzit – të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, të varfrit – të cilët mbeten atje pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme të bombardimeve ruse.

“Pasi shihni gjithë këtë tragjedi, nuk mund të ktheheni në jetën tuaj të mëparshme”, tha ajo në një intervistë në dhjetor në apartamentin e saj në lagjen “Saltivka” të qytetit.

Përvoja e hidhur e Slawinskas dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme janë një dritare e vogël në komunitetin e vullnetarëve polakë, të cilët janë përkushtuar për të ndihmuar gjendjen e vështirë të ukrainasve.

Pas pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit 2022, Polonia strehoi miliona ukrainas dhe shoqëria polake mobilizoi përpjekjet për mbledhjen e donacioneve bamirëse. Qeveria polake ka qenë një nga aleatët më të fortë të Ukrainës, duke i dhënë miliona dollarë për furnizim me armatim dhe pajisje të tjera ushtarake.

Ky entuziazëm është zbehur muajt e fundit, një reflektim i një padurimi më të gjerë në Perëndim, mes të kuptuarit se lufta ruse kundër Ukrainës nuk duket se do të përfundojë së shpejti.

Megjithatë, dhjetëra, qindra, ndoshta mijëra polakë vazhdojnë të përkushtohen për të ndihmuar ukrainasit, brenda dhe jashtë vendit.

Slawinska është vetëm një prej tyre.

“Diçka e prekshme”

Për muaj të tërë, shoferë kamionësh dhe fermerë polakë kanë bllokuar kufirin polako-ukrainas, duke pretenduar se ka konkurrencë të padrejtë nga fqinjët e tyre ukrainas.

Bllokada, e cila rriti tensionet në pikat kufitare, është bërë një çështje e mprehtë politike që ka njollosur mbështetjen e afërt që Varshava i ka dhënë Kievit.

Në mesin e personave të frustruar nga tensionet tek kufiri është edhe Mateusz Wodzinski, 37-vjeçar, i cili ishte në Ukrainë në fund të dhjetorit për t’ua dorëzuar katër makina katër njësive ushtarake ukrainase. Ai ka bërë 70 udhëtime të ngjashme të rrezikshme duke dërguar më shumë se 200 vetura për ushtarët e Ukrainës.

“Unë e urrej kufirin, por nuk më intereson politika,” tha ai për Radion Evropa e Lirë (REL) gjatë udhëtimit të tij në dhjetor. “Gjithë çka më intereson janë makinat. Gjithmonë ka presion për të marrë më shumë makina dhe më shpejt.”

Në qershor të vitit 2022, katër muaj pas pushtimit rus, Wodzinski, i cili është biznesmen që jeton në verilindje të Polonisë, ia dhuroi makinën e tij një njësie vullnetare bjelloruse. Më pas ai hapi një fushatë për të mbledhur fonde për të blerë makina, për t’i rinovuar ato dhe për t’i dërguar tek ushtarët.

“Është një përkushtim i madh, unë personalisht ia jap çdo makinë një njësie specifike”, tha ai. “Është diçka e prekshme që çdokush mund të bëjë për të rritur gjasat që ushtarët ukrainas të mbijetojnë.”

Përpjekja por edhe reputacioni i tij brenda Polonisë është rritur. Shpesh, polakë të tjerë – shpesh donatorë – bëjnë udhëtimin me të, për të dërguar makinat tek njësitë ukrainase. Disa nga shokët e tij kanë marrë edhe njerëz si Radoslaw Sikorski, ministri i ri i Jashtëm polak.

“Në një mënyrë, është si një agjenci turistike që ofron një shans për të parë luftën me sytë tuaj në këmbim të mbështetjes së ushtrisë,” tha Wodzinski.

Në një nga udhëtimet e tij, ushtarët të cilëve u dha një makinë, e lanë të qëllonte me një obus të prodhimit polak në një pozicion artilerie ruse.

“Ka shumë gjasa që kam goditur cakun,” pohoi ai.

Muajt e jetës që i kalon duke udhëtuar kanë ndikuar në jetën e tij personale. Lidhja e tij me ish-partneren me të cilën ka një vajzë të vogël përfundoi, tha ai.

Vetëm dy javë pas udhëtimit në dhjetor, gjatë të cilit ai i kishte sjellë katër makina ushtarëve në qytetin e Slovianskit dhe tre vende të tjera, Wodzinski mësoi se një nga ushtarët që kishte marrë një nga makinat kishte vdekur, një tjetër kishte mbetur i plagosur dhe ishte dërguar në spital.

“A ju kujtohet ai?” pyeti Wodzinski duke treguar foton e një ushtari të ri duke buzëqeshur teksa pranonte makinën në Slovyansk. “Ai nuk jeton më”.

“Atamasha”

Para se të fillonte të kalonte gjysmën e kohës së saj në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, Olga Solarz, 48 vjeçe, jetonte në Przemisl, afër kufirit me Ukrainën, dhe ishte një studiuese me botime akademike mbi folklorin dhe kulturën ukrainase.

Por, ajo kishte një të kaluar me aktivistët ukrainas edhe më parë: ajo kishte marrë pjesë në Revolucionin Portokalli të vitit 2004 që ia parandaloi Viktor Yanukovych, një kandidait presidencial pro-rus, të fitonte në zgjedhjet e dyshimta. Dhjetë vjet më vonë, në shkurt 2014, ajo ishte në Kiev për protestat e Maidan që përfundimisht rezultuan në rrëzimin e Yanukovch, i cili asokohe ishte president.

Solarz, tha se gjatë vitit 2023 në Ukrainë ka sjellë ndihma humanitare dhe ilaçe në vlerë 260.000 dollarë, si dhe 10 makina për ushtarët. Të gjitha këto janë blerë kryesisht me para të dhuruara nga qytetarët polakë, shumica e të cilave vijnë nga pakica ukrainase në Poloni.

Prej muajsh, ajo është bërë anëtare joformale e një brigade të mbrojtjes territoriale që lufton në pjesën jugore të rajonit të Donjeckut. Ajo kalon gjysmën e kohës së saj duke jetuar me ushtarë në kasolle rreth 10 kilometra larg pozicioneve ruse. Ushtarët e kanë vënë nofkën “atamansha”, një shprehje ukrainase për një lider ushtarak kozak.

Përgatitja e saj akademike ka ndikuar që ajo të bëjë një formë të pazakontë të bamirësisë: ruajtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar nga lufta.

Pak para se të takohej me Radion Evropa e Lirë në fillim të nëntorit në bazën e brigadës, ajo mori një statujë për të cilën tha ishte 1000 vjet e vjetër nga zona e luftës. Statuja e madhe e një gruaje, tha ajo, u krijua nga një grup etnik nomad turk i quajtur Cumans, ose Polovtsy, i cili jetonte në Ukrainën jugore.

Solarz tha se statujën e kishte dërguar në Lviv, në Ukrainën perëndimore, për restaurim.

“Për mua kjo luftë është një luftë universale midis qytetërimit dhe barbarizmit,” tha ajo ndërsa po ngiste në një rrugë me gropa me një Toyota Land Cruiser të vjetër.

Qëllim i humbur

Këmba protetike e Slawinska e ngadalëson atë, teksa shpërndan pako ushqimore të moshuarve në Harkiv, si Zoya Karlova, një grua 91-vjeçare të cilës i është dashur të zhvendosej nga qyteti i Luhanskut dhe e cila tani jeton e mbyllur në një apartament në Harkiv.

Në ditën që Slawinska vizitoi, Karlova tha se Slawinska është personi i vetëm që i jep qetësi.

Përpara se të zhvendosej në Ukrainë, Slawinska punonte në një departament të arsimit special në një universitet në Krakov.

Përpjekjet e saj humanitare mbështeten kryesisht nga donacionet e grumbulluara në internet nga polakët që bashkëndiejnë me ukrainasit.

“Problemi kryesor tek njerëzit e prekur nga lufta është humbja e qëllimit në jetë,” tha ajo. “Zakonisht vjen me vetminë”.

Duke kujtuar momentin në Bahmut më 6 janar 2023, kur ajo u godit nga sulmi me predha që çoi në amputimin e këmbës së saj, ajo tha se nuk kishte frikë.

“Kur isha shtrirë në rrugë në Bahmut e bindur se do të vdisja, gjithçka që kisha në mendje ishin më të dashurit e mi,” tha ajo. /REL

Powered by WordPress