Shkruan: Afrim Kasolli
Në një kohë kur partitë opozitare në masë të madhe janë të fokusuara kryesisht mbi performancën e tyre elektorale si dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, megjithatë sfidat kryesore për to do të fillojnë pas përfundimit të tyre.
Mënyra, se si do të sillen këto subjekte pas certifikimit të këtij procesi, do ta përcaktojë edhe të ardhmen e tyre. Dhe në bazë të parametrave aktualë ato do të ndodhen para disa opsioneve që do të mund të jetë secili më fatal se tjetri.
Fillimisht, partia në pushtet do ta ketë të pamundur që të fitojë aq shumë vota sa të jetë në gjendje ta formojë qeverinë e ardhshme vetëm me votat e partive tjera minoritare, pa Listën Serbe. Sipas të gjitha hulumtimeve të deritanishme të opinionit publik, partia në pushtet, do ta ketë përqasi elektorale në raport me partitë opozitare. Mirëpo, nëse Lista Serbe, refuzon të bëhet pjesë e një bashkëqeverisje, pa plotësim të kushteve parapake politike, topi do të bie mbi opozitën. Në këtë drejtim asaj do t’i duhet të navigojë nëpër një terren tejet fragjil politik
1.E para secila prej partive opozitare do ta refuzojnë çdo bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, me qëllim për ta bllokuar këtë fundit ta marr pushtetin. Atëherë vendin e presin zgjedhje të reja të parakohshme. Mirëpo, asaj do t’i duhet një arsyetim serioz publik, në raport me retorikën e Lëvizjes Vetëvendosje, që nuk është pjesë e te njëjtit konspiracion politik me Listën Serbe, për ta pamundësuar jetësimin e vullnetit demokratik të qytetarëve të Kosovës. Dhe aq me tepër, pushteti këtë skenar do ta përdor si dëshmi se si opozita në këtë mënyrë po tenton po ashtu ta pengojë edhe procesin e mëtutjeshëm të sovranizimit tashmë të filluar të veriut. Madje, ajo edhe ka filluar ta ndjek një gjë të tillë, duke i konsideruar disa nga masat që i shpalli Aleksandër Vuciq për Kosovën, si kërkesa nostalgjike për privilegjet që ai i gëzonte në kohën deri sa opozita ishte në pushtet, por që Albin Kurti i ka abroguar.
2. Një opsion tjetër mbetet ai, që për ta zhbllokuar procesin e krijimit të institucioneve të reja, njëra prej tyre vendos të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë drejtim se cila prej tyre do ta joshet në ndarjen e tortës së ardhshme të pushtetit mbetet të shihet. Deri me tani të gjitha janë zotuar se e përjashtojnë këtë skenar, me një dallim të vogël, ku në një rast kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar, se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti shqiptare. Pohim ky që mund të duket si ogur për t’u arsyetuar para opinionit nesër, se afrimi me Albin Kurtin u bë një domosdoshmëri për të mos e mbajtur peng vendin nga Lista Serbe. (Shto edhe këtu faktin e darkës së gabuar politike) Natyrisht, kjo nuk do të thotë se edhe partitë tjera nuk do të veprojnë sipas këtij skenari. Por se cila prej tyre do ta ndjek këtë taktikë, po ashtu e ka shtruar rrugën e rrënimit të saj politik. Kështu, ajo të jetë bashkëpjesëmarrëse në zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare që pushteti aktual e ka obliguar Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
3.Si skenar tjetër nuk përjashtohet as mundësia që tri partitë opozitare të bëhen së bashku me ato minoritare për ta ndërtuar koalicionin e ri qeveritar dhe duke e lënë Lëvizjen Vetëvendosje në opozitë. Ky koalicion do të ishte një amalgam i interesave të ndryshme fragmentare dhe pa një autoritet vendimmarrës politik. Dhe një opsion i tillë do të ishte dhurata me mirë politike për Albin Kurtin në situatën në të cilën ndodhet. Sepse kushdo që të jetë në pushtet nuk mund t’i shmanget presioneve diplomatike për dërgimin draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese dhe themelimin e tij, si parakusht për zhbllokimin e ngërçit ndërkombëtar ku është katandisur Kosova. Procedim ky, që deri me tani Albin Kurti edhe pse e ka pranuar ,e ka shmangur për ta zbatuar. Me këtë rast, ky i fundit do ta shfrytëzonte këtë skenar si dëshmi se me të në pushtet nuk do të kishte kurrë Asociacion, ashtu edhe siç nuk u bë për katër vjet sa ishte në krye të ekzekutivit, por që u dashtë të përmbyset vullneti demokratik i qytetarëve të Kosovës, ku partitë opozitare se bashku me Listën Serbe t’i hapnin rrugë zbatimit të këtij entiteti. Ndërkohë, kriza e parë që nuk do të mund ta tejkalonin do të jetë ajo me rastin e skadimit të mandatit të presidentes.
Pra janë këto vetëm disa nga situatat me të cilat do të mund të përballet opozita aktuale, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Dhe secila prej tyre do të jetë më e keqe se tjetra për fatin e saj politik. Por as ky kurth nuk është i rastësishëm. Sepse me rolin pasiv gjatë këtij mandati partitë opozitare kanë ndikuar që narracioni Albin Kurtit të ketë hegjemoni politike në vend. Dhe është ky narracion që do t’u hakmerret me shumë në atë që do t’i pret në ardhmen se sa me atë që janë ballafaquar deri më tani.
/TV Arbëria