Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Disa pjesë të Evropës në kaos nga përmbytjet dhe ‘temperaturat e akullta’

Disa pjesë të Evropës në kaos nga përmbytjet dhe ‘temperaturat e akullta’

Ndikimi i motit dimëror pritet të zgjasë edhe disa ditë dhe moti me borë dhe reshjet e dendura kanë vazhduar të shkaktojnë probleme në të gjithë Evropën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në Danimarkë, bora dhe shiu po zëvendësohen nga ngricat, me ditët e akullta që vështirësojnë qarkullimin.

Si rezultat, policia në Jutlandën Lindore u ka kërkuar njerëzve që të shmangin daljet e panevojshme.

Ndërkohë banorët e qyteteve buzë lumenjve në Angli panë përmbytje nga shirat që përshkuan Evropën këtë javë.

Një stuhi e fuqishme me erëra përmbyti më shumë se 1000 shtëpi dhe biznese dhe la disa komunitete nën ujë me baltë, thanë zyrtarët.

Në Gloucester në Anglinë jugperëndimore, ndërtesat dhe makinat u zhytën pasi rrugët u kthyen në përrenj, tokat bujqësore u përmbytën dhe varkat pësuan gjithashtu.

Qindra paralajmërime për përmbytjet janë vendosur tani dhe Agjencia e Mjedisit thotë se ndikimi nga përmbytjet mund të zgjasë edhe pesë ditë të tjera.

Veç këtyre, rritja e ujërave të përmbytjeve kanë rrezikuar kolapsin e digave në pjesë të Gjermanisë veriore të goditura nga shirat e dendur prej disa ditësh.

Gjermania ka mobilizuar vullnetarë nga shërbimet e mbrojtjes civile. Miliona thasë me rërë janë shpërndarë në zonat e goditura nga përmbytjet për të mbrojtur vendbanimet dhe digat.

Në një fshat në Saksoninë e Ulët që u godit veçanërisht rëndë, ka mbërritur ndihma nga Franca.

Powered by WordPress