Misioni i SHBA-së në OSBE dje doli me një deklaratë për të treguar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuar për një paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, SHBA tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor për këtë synim. Prandaj, vuri në pah se sulmi terrorist në Banjskë ende vazhdon të mbetet i pandëshkuar nga Serbia, derisa njoftoi edhe për një raport të Kosovës të dërguar në Bashkimin Europian.
“Kosova i dorëzoi BE-së një raport prej 48 faqesh më 26 janar, duke paraqitur gjetjet e saj për sulmin në Banjskë”, tha SHBA.
Ndërkohë, thotë misioni amerikan në OSBE, dështimi i Serbisë për të kërkuar përgjegjësi nga autorët e sulmeve të 24 shtatorit pranë Manastirit të Banjskës në Kosovë është i pandërgjegjshëm dhe dëmton thellësisht besimin e nevojshëm për normalizim.
“Menjëherë pas atyre sulmeve, ne i bëmë thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjësi të gjithë përgjegjës. Fatkeqësisht, ne duhet ta bëjmë këtë përsëri sot”.
SHBA tha se Serbia duhet ta mbajë përgjegjës të sanksionuarin e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, Milan Radoiçiq, i cili ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist, si dhe të tjerët, duke thënë se kjo do ishte sigurim që një sulm tjetër si ky të mos ndodhë më.
Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur në vazhdimësi që Kosova ka ofruar dëshmi të shumta për sulmin në Banjskë, duke thënë se në bazë të tyre Serbia qëndron prapa sulmit si në organizim, logjistikë dhe financim.
Këto informata Kosova ua ka dërguar edhe shteteve aleate qysh në ditët e para pasi ndodhi sulmi.
Ministria e Punëve të Jashtme kishte thënë se në vazhdimësi, përmes ambasadave dhe misioneve diplomatike në botë, ka informuar të gjithë partnerët dhe shtetet mike për gjetjet nga hetimet për sulmin terrorist në Banjskë.
Informatat e para thotë se janë dërguar përmes kanaleve diplomatike qysh ditën e sulmit, ndërsa raportet e shkruara me fakte dhe prova për planifikuesit, organizatorët dhe kryerësit e këtij sulmi, janë përcjellë disa herë gjatë muajve shtator dhe tetor meqë raportet janë plotësuar në vazhdimësi, ashtu siç hetimet kanë prodhuar informata dhe njohuri të reja.
“Këto raporte i janë përcjellë zyrtarisht edhe institucioneve të BE-së – Komisionit Europian, Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Europian. Raporti i fundit, të cilit i referoheni, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel ia ka përcjellë zyrtarisht BE-së më 9 tetor 2023, në ora 15:00”, kishte thënë MPJD.
Ndërkohë, Bashkimi Europian, sa herë që është pyetur rreth hapave që do të ndërmarrë për ndëshkimin e këtij sulmi, kishte thënë se janë në pritje të përfundimit të hetimeve nga Kosova – si e vetmja që ka kryer hetime për këtë sulm.