Shkruan: Meliza Haradinaj
PSE KOSOVA SKA KOHË PËR TË HUMBUR:
Vizita e djeshme e Ministrit të Jashtëm serb Gjuriq në Moskë dhe takimi me Lavrov – në kohën kur po zhvillohen intensivisht bisedimet bilaterale SHBA – Rusi, dëshmon që Serbia i ka lexuar saktë zhvillimet gjeopolitike dhe po kapitalizon qasjen tolerante të Perëndimit ndaj saj tash e 3 vite të agresionit rus në Ukrainë.
Mesazhi i Gjuriqit pas takimit me Lavrov ishte: “Dua të përcjell mirënjohjen e veçantë të Presidentit Vuçiq për Presidentin Putin dhe gjithë udhëheqjen e Federatës Ruse për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.”
Padyshim se kërkesa e Serbisë për Rusinë është që të përfshihet edhe çështja e Kosovës në bisedimet e Rusisë me SHBA – ashtu që të ndërtojnë përparësi, zgjerojnë çështjet e interesit bilateral, apo që të komplikojnë negociatat për Ukrainën – duke tentuar të fusin edhe Kosovën aty!
Partitë politike kosovare tani më shumë se kurrë – duhet të tregohen të përgjegjshme – dhe t’ia ofrojnë Kosovës në afat sa më të shkurtër kohor – një koalicion e një qeveri stabile – që fillon menjëherë bisedimet strategjike me SHBA që të mos lejojmë interesat ruso-serbe të shndërrojnë Kosovën në një monedhë kusuritjeje për Ukrainën.
Kosova është shtet sovran e i pavarur, që nuk i sulmon e nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje, dhe që dëshiron të ecë përpara me hapa të sigurtë e pa dilema orientimi drejt familjes Euro-Atlantike – dhe NUK duhet të hyjë në pako me asnjë krizë tjetër në botë!
Çdo vonesë në formimin e qeverisë do të rrezikojë pozicionin e Kosovës në tavolinën dialoguese kundër Serbisë – e cila tashmë veçse ka filluar aktivitetin e saj diplomatik kundër nesh në botën e re gjeopolitike.