Pa njohje të reja dhe pa anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Kështu e përfundoi Kosova vitin 2024. Megjithë mungesën e rezultateve, në partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se kanë punuar në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit, ndërkaq opozita dhe njohësit e marrdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka dështuar në politikën e jashtme.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu thotë për KosovaPress se politika e jashtme nën udhëheqjen e kryediplomates Gërvalla është e izoluar në arenën ndërkombëtare dhe sipas saj, është larg partnerëve strategjik si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kritika ndaj Gërvallës adreson edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj.
Sipas saj, për katër vjet në pushtet, Gërvalla s’ka pasur rol thelbësor në fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ajo thotë, për KosovaPress, se Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme do të duhej të ishte më e afërt me aleatët, e jo “të amplifikonte dëmtimin e marrëdhënieve” që sipas saj ka bërë kryeministri Albin Kurti.
Ndërkaq, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se për katër vjet të qeverisë Kurti ka pasur ngecje të raporteve me aleatët kyç të Kosovës.
Sipas tij, ministrja Gërvalla ka abstenuar nga politika e jashtme andaj “rezultatet janë zero”.
Por, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu thotë se Kosova s’ka qenë ndonjëherë më mirë e përfaqësuar në arenën ndërkombëtare.
Ajo përmend kalimin e dy fazave për anëtarësim në Këshill të Evropës, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa thekson se vazhdimisht po punohet për sigurimin e njohjeve të reja.
Kosova, e cila e ka shpallur pavarësinë më 2008, vazhdon të mos njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.
Shtetin e kanë njohur 117 vende. Njohja e fundit ka ardhur nga Izraeli, tri vjet më parë – si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Kosova gjatë periudhës 2023-2024 ka kaluar dy faza për anëtarësim në Këshill të Evropës, mirëpo nuk u përfshi në agjendë në mbledhjen e ministrave të punëve të jashtme të KiE-së, ku vendoset për anëtarësim.
Krahas kësaj, aplikimi i vitit 2022 për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është shqyrtuar ende.