Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’ka pasur asnjëherë qëndrim kundër SHBA’së. Në një shkrim të gjatë, Basha rreshta i ka kushtuar edhe opozitës.
Deputeti Basha me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka pretenduar se opozita dhe “disa gazetarë” po tentojnë t’i paketojnë si anti-amerikane veprimet e Qeverisë Kurti në veri.
“Shkatrrimi i bandave në veri nuk e prish popullin me Amerikën, por lidhjet me kriminelët në jug! Ndalja e dinarit nuk na prish me Amerikën, por me Vuçiqin dhe ata që janë ushqy prej dinarit! Mbyllja e kontrabandës nuk na ka prish me Amerikën, por ua ka prish hajninë kriminelëve në veri. Lufta kundër Radojçiçit nuk na ka prish me Amerikën, por e ka prish me kumarinë me bashkëpunëtorët e tij në jug”, ka deklaruar Basha.
Basha ka treguar edhe se çfarë të bën amerikan dhe çfarë jo.
“Amerika vazhdon me qenë aleati më i madh i shtetit tonë, dhe Kosova me Kryeministrin Kurti është qeveria më pro-amerikane në gjithë Ballkanin, sepse me qenë amerikan është me qenë patriot që lufton për drejtësi, demokraci e mirëqenie të popullit tënd, jo për mirëqenien personale. Nuk je amerikan kur prej panlave me rrogë të shtetit ke përfundu pronar i tokave e villave luksoze milionëshe! Ju nuk i bëni nder as me ia përmend emrin Amerikës, aq më pak m’u thirr në vlera të tyre”, shtoi tutje deputeti i VV’së.
“Për fund, më treguan që mercenarët po ulurojnë me kthy Kosovën në vitin 2019, dmth pe kërkojnë një Kosovë pa Albinin e me Radojçiçin shef në veri. Kjo ka qenë Kosova e 2019-së që po e kërkojnë! Të njejtën kërkesë e ka Serbia – një Kosovë pa Albinin e me Radojçićin – mirëpo ajo gjendje nuk kthehet as në ëndrrat tuaja, sepse ky popull nuk mashtrohet më! Nuk mundeni me kthy Radojçiçin duke u thirr n’emër të Amerikës. Kush do me kthy Kosovën në vitin 2019-tën me Radojçiçin shef në veri, mundet m’u rreshtu pas tij veç në Serbi, se n’Kosovë më s’ka vend më, së paku me Albinin jo!”.