Shkruan: Afrim Kasolli
Para një kohe Qeveria e Kosovës e pat miratuar një ligj, ku parashihej ngritja e tatimit mbi 200 % për pronat e palutjshme komerciale. Ky vendim pritej të hynte në fuqi në janar të vitit 2025. Mirëpo, befas dhe papritmas ministri i Financave Hekuran Murati ka deklaruar se i njëjti nuk do të gjejë zbatim për kohën paraparë, por do të shtyhet edhe për një vit. Pra ai do të bëhet valid në janar të vitit 2026.
Një model të këtillë të taksës progresive e zbatojnë edhe qeveri të tjera me orientim të majtë politik. Bie fjala, në Butani të Madhe, pas ardhjes në pushtet të Partisë Laburistë, duke filluar nga 1 prilli i këtij viti do të aplikohet ky model. Kushdo që ka një shtëpi të dytë, do t’i dyfishohen taksat. Po ashtu, për ta zbutur krizën e banimit ky shtet ka marrë edhe vendime tjera. Nëse dikush e ka shtëpinë të pabanuar për më shumë se një vjet, po ashtu do të ngarkohet dyfish me tatim. Kurse nëse ajo ka qenë e pabanuar deri në 10 vjet, katër herë me shumë do të jenë obligimet tatimore financiare.
Por shtrohet pyetja pse Qeveria e Kosovës vendosi ta zvarris zbatimin e këtij vendimi? Asociacioni i Komunave të Kosovës deklaroi se e deri te kjo lëvizje e pushtetit ka ardhur pas presionit dhe insistimit të këtij entiteti ndaj Qeverisë sepse në vazhdimësi është thënë se kjo normë është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale. Nuk e mohohej se presione të tilla kanë ndikuar në këtë drejtim, sidomos kur marrim parasysh edhe faktin se në shkurt të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Prandaj, dyfishimi me tatim i qytetarëve një muaj para zgjedhje s’do të ishte një hap i duhur elektoral.
Mirëpo, personalisht mendoj së më shumë se nga shqetësimi për qytetarët e rezident të Kosovës, anulimi i këtij vendimi ka ardhur edhe nga një kalkulim tjetër. Që të ruhet me çdo kusht, ose të rikthehet aty ku është davaritur, vota e diasporës.
Është fakt i ditur botërisht, si nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, ashtu edhe nga Raporti i Fundit i Progresit se shumica e Investimeve të Huaja Direkte shkojnë kryesisht në blerën e patundshmërive, banesave, lokaleve, pronave etj nga mërgata jonë që jeton në shtetet perëndimore. Pra 86 për qind e tyre janë të orientuara në këtë sektor. Dhe nuk mund të mohet fakti se vetëm gjatë vitit 2023 këto investime njohën një rritje prej 18 për qind. Investime këto që pak kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo edhe është arsyeje që një pjesë e madhe e banesave janë të zbrazta. Prandaj, ky model i taksës progresive do të ishte goditje direkte kryesisht për ta, sidomos para zgjedhjeve, çfarë edhe mund t’i irritonte e zemëronte ndaj këtyre politikave tatimore të Qeverisë së Albin Kurtit .
Në këtë kontekst, kryeministri i Kosovës me qëllim që ta ruajë atë bazë elektorale nuk ka pasur tjetër rrugë pos zvarritjes së këtij vendimi. Pra ta vazhdojë gjahun elektoral në mërgatë edhe në këto zgjedhje, e pasi ta siguron edhe për një mandat pushtetin, t’ua shtojë obligimet tatimore atyre me të cilët po krenohet për investimet e bëra në Kosovë./TV Arberia