Përgatiti: Afrim Kasolli
Një kohë të gjatë, veçanërisht sa ishte në opozitë, kryeministri Kurti e kishte mbrojtur idenë se dialogu nga poshtë-lartë me serbët e Kosovës, duhet të jetë alternativa e duhur, ndaj modelit të dialogut nga lartë-poshtë, të dizajnuar nga Bashkimi Evropian dhe të ndërmjetësuar nga shërbimi për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bruksel.
Sipas tij, kjo mënyrë dialogimit do të ndikonte që serbët e Kosovës të largoheshin nga diktati i Beogradit dhe në këtë mënyrë ata do të vendosnin për vetën e tyre dhe jo liderët shtetërorë serbë. Krijimi i kësaj klime të re politike, mbase do të ofronte edhe një dritare tjetër në drejtim të tejkalimit pengut më të madh të Kosovës, atij të krijimi të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sepse, sipas shumë ekspertëve edhe mënyra se si është paraparë krijimi i këtij entitet, mbetet e dyshimtë në aspektin demokratik. Ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, kishte deklaruar, se në rrethana normale, Asociacionet themelohen duke u bazuar në të drejtën private nga qytetarët, apo struktura siç janë komunat. Por deri më sot nuk kemi asnjë propozim të vetëm nga komunat, i cili do të na tregonte se si do të dukej ky Asociacion. Prandaj, nuk ka dyshim se një dialog sa më i madh nga poshtë-lartë do të krijonte një horizont të munguar për këtë temë.
Mirëpo, çuditërisht, ky dialog, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile nga serbët e Kosovës, nuk ka qenë kurrë më i zbehtë. Drejtuesja e Nismës së Re Shoqërore, një organizatë serbe e shoqërisë civile nga Mitrovica e Veriut në Kosovë, Jovana Radosavleviç, në të njëjtin medium ka deklaruar, se sot komuniteti serb në Kosovë po jeton në një gjendje të vazhdueshme tensioni, si pasojë e mungesës së gatishmërisë së udhëheqësve në Serbi dhe Kosovë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe përballë një qeverie në Prishtinë që nuk i merr parasysh shqetësimet e tyre. Ajo ka pohuar se “qeveria e Kosovës nuk po dëgjon shqetësimet e tyre dhe se kjo qasje po rrit ndikimin e Beogradit tek serbët e Kosovës”. Kështu, sipas saj “aktualisht kemi një mungesë të plotë besimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës”.
Pra pikërisht mungesa e atij dialogu, që dikur i pari i Qeverisë e propozonte si të domosdoshëm, e ka përkeqësuar edhe më tej gjendjen. Për më shumë i ka homegjenizuar edhe më shumë serbët e Kosovës nën tutelën e Beogradit.
Këtë e pasqyron, më mirë se asgjë tjetër, dështimi i referendumit në veri për shkarkimin kryetarëve të katër komunave më shumicë serbe, pavarësisht arsyetimit cinik të kryeministrit, se ky rezultat tregoi se nuk ka “vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual”.
Përkundrazi, bojkotimi total i tij, dëshmoi në masë të madhe se vullneti politik i qytetarëve serbë vazhdon të mbetet i pa përfaqësuar institucionalisht. Është e vërtetë se me këtë dështim u garantua pushteti i katër kryetarëve aktualë deri në fund të mandatit. Mirëpo, u vërtetua se ata nuk janë përfaqësues legjitimë.
Ndërkaq, pas këtij vërtetimi të shumëfishtë, bashkësia ndërkombëtare vetëm sa u bind për ta shtuar edhe presionin dhe kushtëzimin mbi Kosovën në drejtim krijimit të Asociacionit, si e vetmja mundësi, sipas diplomatëve perëndimorë për ta kanalizuar politikisht vullnetin e serbëve brenda shtetit të Kosovës. E tash zvarritja për ta themeluar atë entitet për shkak të presioneve të brendshme, ka filluar të përkthehet gjithnjë e më shumë edhe në bllokim ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
/TV Arbëria