Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dialogu në rrugë pa krye

Dialogu në rrugë pa krye

Ka kohë që po dominon ideja se strategjia e ndjekur deri më tani nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga SHBA-të, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Janë bërë më shumë se një dekadë që kur se ka filluar ky proces në Bruksel, janë nënshkruar disa marrëveshje, sikur se ajo e vitit  2013,  si dhe marrëveshja bazë e Brukselit dhe plani i sekuencimit në Ohër në vitin 2023, por përsëri normalizimi nuk duket në horizont. Për më shumë, ka çaluar edhe integrimi i serbëve të Kosovës sidomos në pjesën veriore.

 

Ky proces mori një goditje tjetër para dy dite nga vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimin e caktuar nga KQZ-së, për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave më shumicë serbe në pjesën në veri të Kosovës, që është caktuar për 21 prill. Në funksion të këtij vendimi, po ashtu u tërhoqën edhe anëtarët e kësaj partie nga Komisionet lokale zgjedhore. Ndërkohë, kjo parti i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që jetojnë në atë pjesë që ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë, proces ky i cili ka filluar me datë 4 prill.

 

Në këtë mënyrë ka gjasa që të dështojë referendumi për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja të parakohshme lokale. Kështu kryetarët shqiptarë mund edhe ta vazhdojnë mandatin e tyre edhe për një kohë, mandat ky që është thënë se mbetet i cunguar sa i përket legjitimitetit politik qytetar, por që në anën tjetër mund të ketë implikime politike si sa i përket pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, ashtu edhe normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

 

Fillimisht, Kosova është duke u përballur me sfidën e anëtarësimit në Këshill të Evropës. Dhe në raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bokojanis, krahas kërkesës për inicimin e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është kërkuar tejkalimi i këtij ngërçi në pjesën veriore. Mos zgjidhja e kësaj krize e pamundeson progresin në procesin e dialogut. Dhe për më tepër, zbehen gjasat që të suspendohen masat sanksioneve ndaj Kosovës.

 

Ndërkohë, kur marrim parasysh faktin se nga data 6 deri më 9 qershor do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, nga të cilat pritet të krijohen strukturat e reja përfaqësuese të Bashkimit Evropian, kurse në muajin nëntor zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë lirisht mund të thuhet se edhe viti 2024 do të jetë një viti i humbur i dialogut.

 

Mirëpo, një dështim i tillë e dëmton edhe vet reputacionin e Unionit, shqetësim ky që ishte ngritur para pak dite edhe nga Parlamenti Evropian. Ky institucion, me anë të një rezolute i bënte thirrje Brukselit, që ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim. Sepse nëse nuk tejkalohen ngecjet aktuale, “dështimi i këtij dialogu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”. E në anën tjetër deri sa kjo bllokadë vazhdon, as vetë BE nuk e ka të qartë perspektivën e këtij procesi. Jo shumë ditë më parë, po ashtu, Këshilli i Unionit ka dështuar që te ketë pajtim rreth ndryshimit të kornizës negociuese për Serbinë.

 /TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress