Katër raste të dhunës në familje kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.
Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, teksa njoftohet se rastet kanë ndodhur në Podujevë, Fushë Kosovë, Klinë dhe Gjakovë.
Në katër rastet, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje kurse i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Në Podujevë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë, teksa e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Podujevë / 10.04.2024 – 02:00. Ankuesja femër shtetase e huaj ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga i dyshuari mashkull. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë-Kosovë, teksa rastet raportohet të kenë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së martës.
“Fushë Kosovë / 10.04.2024 – 04:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar nga i dyshuari mashkull. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Ngjashëm “Dhunë në familje” raportohet edhe në Klinë teksa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Klinë / 10.04.2024 – 20:30. Viktima femer ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull . Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raport.
Ndërkaq në Gjakovë, një burrë ka fyer verbalisht një grua dhe të njëjtën ka tentuar ta sulmojë fizikisht.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Gjakovë / 10.04.2024 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull për arsye se e kishte fyer verbalisht si dhe kishte tentuar ta sulmojë fizikisht viktimen femer. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.