Kemi lënë pas vitin 2023, por bashkë me të jo edhe rastet e dhunës në familje, të cilat nuk po mungojnë as në ditët e para të vitit 2024, shkruan TV Arbëria.
Vetëm gjatë 24-orëve të fundit, në Polici janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje në të gjithë Kosovën.
Dy prej këtyre rasteve kanë ndodhur në Obiliq, dy të tjera në Gjakovë dhe një në Prishtinë e një në Fushë-Kosovë.
Në rastin e parë të raportuar në Obiliq, një burrë ka sulmuar fizikisht një grua, ku viktima ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është liruar.
“Obiliq 02.01.2024-22:00. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull nga Kosova pasi që ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Ndërsa, në rastin e dytë të raportuar në Obiliq, një burrë ka kërcënuar verbalisht një burrë tjetër, i cili më pas është arratisur.
“Obiliq 02.01.2024-19:00. Viktima mashkull nga Kosova ka njoftuar se është kanosur verbalisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti nën hetime”, shkruhet në raport.
Ndërkaq, në rastin e parë të dhunës në Gjakovë, një burrë ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje dhe e ka kërcënuar atë.
“Gjakovë 02.01.2024-16:00. Viktima femër nga Kosova ka njoftuar se i dyshuari mashkull ka ushtruar dhunë psikike dhe kanosje ndaj saj, i njëjti po ashtu ka thyer edhe urdhërin mbrojtës. Rasti nën hetime”, njofton Policia në raportin 24-orësh.
Rasti i dytë i dhunës në familje në Gjakovë ka ndodhur pasi i dyshuari ka qenë në gjendje të dehur, i cili tashmë është dërguar në mbajtje.
“Gjakovë 02.01.2024-23:50. Viktima femër nga Kosova ka njoftuar se i dyshuari mashkull në gjendje te dehur ka shkaktuar dhunë në familje. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.
Një tjetër rast i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë, ku një burrë ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje dhe tashmë hetimet kanë nisur.
“Prishtinë 09-2022-09-2023. Ankuesja femër nga kosovare ka njoftuar se nga i dyshuari mashkull kosovar ka pasur dhunë fizike dhe psikike. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore”, shkruhet në raportin e Policisë.
Ndërkaq, rasti i fundit i dhunës i raportuar gjatë 24-orëve të fundit ka ndodhur në Fushë-Kosovë, ku një burrë është sulmuar fizikisht nga një burrë tjetër, pas një mosmarrëveshjeje.
“Fushë Kosovë 02.01.2024-18:00.Viktima mashkull nga Kosova ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull nga Kosova. Viktimës i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, raporton Policia e Kosovës përmes raportit.
/TV Arbëria