Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Dhuna ndaj Policisë dhe KFOR-it më 2023 te komuna e Zveçanit, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë

Dhuna ndaj Policisë dhe KFOR-it më 2023 te komuna e Zveçanit, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj M.A për dhunën e ushtruar dhe kanosjen ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në vitin 2023, para objektit të komunës së Zveçanit.

Aktakuza ndaj të pandehurit është ngritur për 4 vepra penale.

“-Sulm ndaj personit zyrtar,

-Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm,

-Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge,

-Posedim i paautorizuar i armëve.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës i akuzuari i ka sulmuar dhe kanosur seriozisht disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri.

“M.A akuzohet se, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, së bashku me të pandehurit tjerë kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar.”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e këtyre veprimeve lëndime të rënda kishin marrë disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it dhe ishin shkaktuar dëme materiale në veturat e ekipeve mediale.

“Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për konfiskimin e një arme zjarri dhe shkatërrimin e substancave narkotike në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, të cilat janë sekuestruar gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore ndaj të pandehurit.”, thuhet në njoftim.