Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Gjermania ndërmjet frikës, interesave nga Rusia dhe detyrimit për Ukrainën

Gjermania ndërmjet frikës, interesave nga Rusia dhe detyrimit për Ukrainën

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Që kur ka filluar lufta në Ukrainë para më shumë se dy viteve, për shkak të agresionit rus ndaj këtij shteti, Gjermania është ndodhur ndërmjet dy pozicioneve të papajtueshme dhe kontradiktore ndërmjet vete.

 

Analistë të ndryshëm i kanë vënë në pah politikat inkoherente të Berlinit zyrtar në raport me këtë konflikt. Ky tension është vërejtur edhe në qëndrimin e kancelarit  Olaf Scholz, sipas të cilit “Ukraina nuk duhet të humb dhe Rusia nuk guxon të fitojë”.

 

Ky pozicion është duke u manifestuar edhe në refuzimin e qeverisë gjermane për t’i ofruar ushtrisë ukrainase raketa me rreze të gjatë veprimi të quajtur Taurus. Pajisje këto që janë jetike në këtë fazë kritike në të cilën ka hyrë lufta në Ukrainë, ku Rusia është duke korrur suksese në terrenin e betejës dita ditës. Sipas kancelarit ofrimi i këtyre armëve të avancuara mund ta tërheqë Gjermaninë në një konflikt të drejtpërdrejt me Rusinë. Ngase, në saje të tyre mund të goditet Moska. Por, që kjo të mos jetë e mundur, atëherë duhet që ushtarët gjermanë t’i menaxhojnë përdorimin e tyre në terrenin e betejës, që përsëri do të nënkuptonte konflikt të hapur me Rusinë. Mirëpo, një ngurim të tillë Gjermania e kishte demonstruar edhe me rastin e furnizimit të Ukrainës me tanke Leoprad. Ky shtet, pranoi t’i dërgonte këto mjete luftarake vetëm pasi edhe SHBA-të e bënë një gjë të tillë me një numër të vogël të tankeve Abrahams.

 

Ky qëndrim i stepur i Qeverisë Gjermane është duke dalluar rrënjësisht, rrënjësisht nga pozicioni luftarak deri më tani verbal i Francës, sepse në praktikë nuk është se edhe ky shtet ka bërë më shumë për të mbështetur Ukrainën. Kryetari i Francës Emnauel Macron, fillimisht deklaroi se “Perëndimi nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në terrenin e betejës nëse dëshirojnë që lufta të mos humbet në Ukrainë. Evropa qartë po përballet sipas tij, në një moment kur është e domosdoshme që të mos jemi frikacak”. Për të vazhduar më tutje se “Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe”.

 

Sidoqoftë, sipas gazetës politico eu, kancelari gjerman nuk është i vetëm në këtë qëndrim dual në raport me Rusinë dhe Ukrainën. Rreth 60% e qytetarëve gjeramanë e kundërshtojnë furnizimin e ushtrisë ukrainase me armë të sofistikuara. Shifër kjo që dallon nga 49 % sa ishte në fillim të këtij viti. Ndërkohë, aktualisht vetëm 20 % e qytetarëve mendojnë se Gjermania duhet të bëjë më shumë për të mbështetur këtë luftë, kurse 40 % janë shprehur se shteti i tyre ka bërë mjaft, kurse 20 % se ka shkuar shumë larg dhe i ka tejkaluar limitet e duhura.

 

Ky disponim i përgjithshëm krahas frikës për zemërimin e Rusisë, mbase mund të jetë edhe pasojë e një trashëgimie mentale kolektive dhe raporteve të tensionuara historike të këtij shteti me Kremlinin. Siç dihet Gjermania ishte përfshirë në dy luftëra në shekullin 20-të me Rusinë. Bilanci i tyre qe fatal. Si përfunduan ato dihet nga të gjithë, por kuptohet edhe për shkak të përfshirjes së SHBA-ve, në të dyja.

 

Mirëpo, përpos frikës, siç thotë gazeta në fjalë, mund të jenë edhe faktor tjerë që e kushtëzojnë këtë sjellje të politikës gjermane ndaj Rusisë.  Duke filluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar, atëbotë Republika Federale Gjermane nën ndikimin e ish-kancelarit social-demokrat Willy Brandt u bë promovuese e konceptit “Ostpolitik”, një qasje kjo e afrimit të shtetit të tij me ish-Bashkimin Sovjetik. Dhe Olaf Scholz është njëri nga “fëmijët ideologjikë” të asaj kthese politike.

 

Por për tej këtyre faktorëve “psiko-historik”, këtu nuk duhet harruar as raportet e shkëlqyera ekonomike që kohën e fundit Gjermania ka pasur me Rusinë e Putinit, sidomos gjatë qeverisjes së Angela Merkelit. Ku industria e këtij vendi kishte përfituar jo pak nga burimet e lira energjetike ruse. Dhe është ky dëmtim nga i cili është duke përfituar jo pak partia populiste “Alternativa për Gjermaninë”, me pretendimin se sanksionet ndaj Rusisë më shumë janë duke e dëmtuar vendin e tyre, se sa shtetin rus. Mbase është nostalgjia edhe për vitet e arta të zhvillimit ekonomik gjerman, që është duke ndikuar që qeveria gjermane të shpresojë se dy vendet do të ulen në tavolinën e bisedimeve që t’i japin fund kësaj katrahure, me qëllim që të vazhdojë çdo gjë sikur se ishte më parë.

 

Në këtë kontekst, përkundër zotimeve formale për unitetin trasnatalantik, në praktikë shtetet kanë filluar gjithnjë e më shumë kushtëzohen nga interesat e tyre nacionale në raport me luftën ne Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin  e tretë të saj. Deri sa Franca bënë thirrje për një mobilizim më të madh, Amerika për shkak të vetokracisë së sistemit politik e ka të pamundur ta kalojë paketën e re financiare në mbështetje të Ukrainës dhe Gjermania të udhëhiqet nga parimi  “as Ukriana nuk duhet të humb dhe as Rusia të fitojë”, pozicioni trupave ukrainase në terren po ndodhet dita ditës në një gjendje gjithnjë e më të vështirë. Në këtë situatë “kaotike” nuk është befasi që thirrja e autoritetit shpirtëror të Selisë së Shenjte më kalimin e kohës të shndërrohet edhe në imperativ politik, pavarësisht faktit se ky civilizim ka kohë që drejtohet nga maksima “Jepi Ceazarit atë që i takon Cezarit dhe Hyjit atë që i takon Hyjit” .

 

/TV Arbëria

 

 

 

 

Themes by WordPress