Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Detyrimet kontraktuale të BE-së për ta mbrojtur Grendlandën nëse sulmohet nga SHBA-të

Detyrimet kontraktuale të BE-së për ta mbrojtur Grendlandën nëse sulmohet nga SHBA-të

Pëgaditi: Afrim Kasolli

Paralajmërimi i presidentit Donald Trump, se nuk e përjashton përdorimin e forcës me qëllim që ta integrojë ishullin e Grendlandës si pjesë të SHBA-ve, ka nxitur dilema se çka do të mund të bënte Bashkimi Evropian në mbrojtje të atij territori që formalisht është pjesë e bllokut. Sepse, siç dihet, ishulli i pasur me minerale, zyrtarisht ndodhet nën administrim e Mbretërisë së Danimarkës, edhe pse e gëzon një shkallë të lartë të autonomisë, politike dhe administrative.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se në rast të një skenari të tillë, atëherë do të aktivizohej, paragrafi 7 i nenit 42 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Sipas këtij neni “ Nëse një Shtet Anëtar është viktimë e një agresioni të armatosur në territorin e tij, Shtetet e tjera Anëtare kanë për detyrim ta ndihmojnë dhe mbështetin me të gjitha mjetet që kanë në dorë, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kjo nuk cenon karakterin e veçantë të politikës për sigurim dhe mbrojtje të Shteteve të ndryshme Anëtare. Angazhimet dhe bashkëpunimi në këtë fushë duhet të pajtohen me angazhimet që rrjedhin nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e cila, për ata Shtete që janë anëtare të saj, mbetet baza e mbrojtjes së përbashkët të tyre dhe forumi për zbatimin e saj”.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme po ashtu, Franca e ka paralajmëruar Donald Trump-in, kundër kërcënimit të “kufijve sovranë” të Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, i ka thënë radios France Inter se “Nuk bëhet fjalë që BE-ja të lejojë që shtete të tjera në botë, kushdo që të jenë ata, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë.” Ndonëse, ai ka shtuar se, megjithatë nuk besonte se SHBA-të “do të pushtonin” Grendlandën, por pa përjashtuar faktin se “kemi hyrë në një epokë ku po lulëzon modeli i rikthimit të ligjit të më të fortit.” /TV Arbëria