Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Detaje të reja për kapjen e 43 armëve të gjata: I dyshuari tentoi të kalonte kufirin nga Kosova në Serbi

Detaje të reja për kapjen e 43 armëve të gjata: I dyshuari tentoi të kalonte kufirin nga Kosova në Serbi

Një shtetas gjerman është arrestuar duke kaluar pikën kufitare Dheu i Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi në veturën e tij janë gjetur 43 armë të gjata automatike.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se zbulimi i armëve është bërë pasi zyrtarët kufitarë kishin pranuar paraprakisht informacione nga njësitë e tjera të inteligjencës policore për automjetin.

Sipas informacioneve të siguruara, vetura ishte duke dalë nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, përmes pikës kufitare në Dheun e Bardhë.

Zyrtarët kufitarë, të cilët paraprakisht ishin informuar nga njësitë e tjera të inteligjencës së Policisë së Kosovës për automjetin, kanë arritur ta identifikojnë dhe ta ndalojnë të dyshuarin për kontroll të mëtejshëm.

Sipas këtyre burimeve, shtetasi gjerman dyshohet se kishte improvizuar një hapësirë të fshehtë, në formë bunkeri, brenda veturës së tij, ku edhe ishin vendosur armët.

Pas kontrollit të automjetit, janë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 43 armë të gjata automatike.

Burimet nga Policia thanë se ende nuk dihet se cili ishte destinacioni final i të dyshuarit.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë publikuar një komunikatë të përbashkët, përmes së cilës kanë konfirmuar arrestimin e një shtetasi gjerman me inicialet L.S..

Sipas komunikatës, arrestimi është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Autoritetet kanë bërë të ditur se i dyshuari fillimisht është ndaluar në rajonin e Gjilanit, ndërsa automjeti me të cilin po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm, ku janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armët.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ai dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, përfshirë verifikimin e origjinës dhe destinacionit të armëve të sekuestruara.