Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Dështon seanca ndaj avokates Sheholli dhe përmbaruesit Islami, njëri avokat ishte në pushime

Dështon seanca ndaj avokates Sheholli dhe përmbaruesit Islami, njëri avokat ishte në pushime

Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve: avokates Shemsije Sheholli, e ngarkuar me veprën penale “Ushtrim ndikimi”, dhe përmbaruesit privat Isak Islami, i akuzuar për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas gjyqtarit të rastit, Gëzim Ademi, seanca nuk mundi të mbahej pasi mbrojtësi i Shehollit, avokati Osman Havolli, kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të pushimeve.

Në seancë ishin të pranishëm prokurori i shtetit Bashkim Zeqaj, i dëmtuari Besim Sopi, e akuzuara Sheholli, si dhe i akuzuari Islami me mbrojtësin e tij, avokatin Florin Vërtopi.

Seanca u shty për në shtator 2025.

Aktakuza vjen pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi“-  “Dyshimet për pazarllëqe me lëndë në emër të gjykatësve”, ku tregohej se si avokatja dyshohet se i kishte kërkuar klientit të saj 25 mijë euro ryshfet në emër të tre anëtarëve të Kolegjit gjykues të Apelit.

Paraprakisht, pas hulumtimit, Komisioni Disiplinor për përmbaruesit privatë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka marrë vendim, me të cilin ia ndaloi për 7 muaj ushtrimin e profesionit përmbaruesit privat, Isak Islami.

Avokatja dhe përmbaruesi privat ishin arrestuar dhe Gjykata iu kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 30 maj 2025, thuhet se Shemsije Sheholli, në cilësinë e avokates dhe përfaqësuese së palës së dëmtuar, Besim Sopi, i cili ishte në cilësi të paditësit në kontestin civil me numër të lëndës: AC.nr.1383/2019, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, më datë 15 gusht 2023, kërkon drejtpërdrejt shumën prej 25 mijë eurosh nga i dëmtuari Sopi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se paratë janë kërkuar nga Sheholli ndaj Besimit, duke i premtuar ushtrimin e ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e kolegjit të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit: Burim Shala, kryetar, si dhe Nehat Idrizi dhe Hunaida Pasuli, për t’ia dorëzuar aktgjykimin e çështjes, edhe pse i njëjti ishte nxjerrë më 12 korrik 2023 dhe i ishte dorëzuar avokates Sheholli më datë 12 gusht 2023. Sheholli, edhe përkundër faktit se aktgjykimi tashmë ishte nxjerrë dhe dorëzuar, kërkon shumën prej 25 mijë eurosh për ushtrim ndikimi të padrejtë te gjyqtarët e Gjykatës së Apelit.

Prandaj, për këto veprime, Sheholli ngarkohet me veprën penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në pikën e dytë të aktakuzës ngarkohet përmbaruesi privat Isak Islami, i cili thuhet se, duke keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke mos përmbushur detyrat zyrtare.

Me ç’rast, sipas aktakuzës, thuhet se më 21 dhjetor 2023 cakton dhe ekzekuton përmbarimin ndaj debitorit Besim Sopi përmes nxjerrjes së urdhrit përmbarimor, duke u bazuar në një faturë të lëshuar nga avokatja Sheholli, e cila faturë është pa nënshkrim nga debitori, e datës 4 dhjetor 2023, në shumën prej 25 mijë eurosh.

Tutje, Islami ka bllokuar llogarinë e Sopit dhe ka transferuar mjetet në llogarinë e tij personale në vlerën prej 25 mijë e 454 euro, dhe atë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Procedurën Përmbarimore dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore, pa e njoftuar paraprakisht për detyrimin e pretenduar dhe pa i dhënë mundësinë për përmbushje vullnetare Sopit.

Krejt këto veprime janë në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore dhe atë Kontestimore, ku theksohet se dorëzimi i urdhrit përmbarimor parashikon disa mënyra të dorëzimit, e që Islami vepron në kundërshtim me dispozitat e këtyre dy ligjeve, duke i shkaktuar dëm kështu të dëmtuarit në vlerën prej 25 mijë e 454 euro.

Prandaj, për këto veprime, Islami ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 i KPRK-së.