Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Dështon seanca fillestare ndaj 15 të akuzuarve në rastin ku ishin sekuestruar 67 kg heroinë

Dështon seanca fillestare ndaj 15 të akuzuarve në rastin ku ishin sekuestruar 67 kg heroinë

Për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Zefer Serkan, avokati Florent Latifi, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj 15 të akuzuarve , në rastin e quajtur “Gropa”, ku ishin sekuestruan rreth 67,5 kilogram heroinë dhe 25,5 kilogram narkotikë të llojit morfinë dhe kodein.

Gjykatësi Sahit Krasniqi lidhur me mungesën e avokatit Latifi, tha se ende nuk është kthyer fletëdërgesa në gjykatë, ku sipas tij, gjykata e ka ftuar në mënyrë të rregullt dhe ka kontaktuar të njëjtin disa herë përmes telefonit zyrtar, mirëpo i njëjti nuk ishte përgjigjur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi fillestar për këtë rast u shty për 8 maj 2023.

Ndryshe, prezent në sallën e gjykimit ishte prokurori i çështjes Valdet Avdiu dhe avokatët mbrojtës Avni Ibrahimi, Dardan Hakiu, Fitim Shabani, Faton Hyseni, Abdurrahim Islami, Qëndresa Lajqi-Bajraktari, Elvira Heta-Vata, Urim Bajraktari, Admir Salihu, Adnan Pacolli, Jeton Rekathati, Arsim Bilalli, Faton Neziraj dhe Haxhi Millaku.

Në këtë rast po akuzohen 15 të pandehur, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga muaji maj 2022.

Sipas aktakuzës të përpiluar më 10 shkurt 2023 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, të pandehurit Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Serkan Zafer, Valdrin Neziri, Besim Hyseni, Faruk Diri, Avdylvehap Diri, Murat Yilmaz, Halit Irez dhe Syleyman Yruk, thuhet se nga muaji prill 2022, e deri më 23 maj 2022, paautorizim në shtëpinë e të pandehurit Besim Hyseni fshatin Firaj, Komuna Shtërpce dhe në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani, në rrugën “Suksesi”, në fshatin Varosh, Komuna Ferizaj, kanë prodhuar substanca narkotike të llojit heroinë dhe atë 67.5 kilogram, ndërsa 25.5, kilogram nuk kishin arritur ta prodhonin.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Valdrin Neziri dhe Serkan Zafer, kishin organizuar transportin e lëndës së parë të narkotikut të cilën e kishin sjellë nga Irani përmes Turqisë-Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, të cilën e kishin vendosur në një depo në rrugën “Astrit Bytyqi”, pastaj kishin improvizuar një laborator për prodhimin e heroinës në shtëpinë e të pandehurit Besim Hyseni në fshatin Firaj, dhe kishin filluar të furnizohen me vegla, të cilat i kërkonte i pandehuri Abdylvehap Diri.

Tutje, sipas aktakuzës, më datën 7 maj 2022, në Kosovë kishte ardhur edhe i pandehuri Serkan Zafer, i cili gjatë qëndrimit pesë ditor përveç takimeve të përditshme me të pandehurit Sahit, Afrim dhe Avdylvehap, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të kushteve për prodhimin e heroinës, më 8 maj 2022, së bashku me Sahitin ishte takuar edhe me personin me emrin Valon Sylqa, nga i cili kishin siguruar pesë bidona, secili me peshë prej 50 litra, si dhe 8 bidona, secili me peshë prej 10 litra të mbushur me likuid të lëngshëm, (prekusor për prodhimin e heroinës), e të cilët pas dy dite me dy automjete i kishin marrë të pandehurit Afrim dhe Sefedin Dernjani, të cilat i dërgonin në fshatin Firaj.

Tutje, sipas aktit akuzues, më 13 maj 2022, në Kosovë kishte ardhur i pandehuri Faruk Diri, ndërsa më 15 maj 2022, në Kosovë kishin ardhur edhe të pandehurit Halit Irez dhe Murat Yilmaz, dhe më 18 maj 2022, kishte filluar procesi i prodhimit të heroinës, mirëpo më 20 maj 2022, pasi të njëjtit kishin dyshuar se policia iu kishte vënë në gjurmë, të pandehurit Afrim, Besim, Valdrin, nga Firaja kishin tërhequr narkotikun të cilët deri në atë kohë e kishin prodhuar dhe pjesën tjetër të papërpunuar dhe i kishin dërguar në fshatin Varosh, në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani.

Më tej thuhet se, pasi në Kosovë kishin ardhur sërish të pandehurit Zafer Serkan dhe Sylejman Yuruk, të cilët ishin takuar me të pandehurit Sahit, Afrim dhe Abdylvehap, ky i fundit pas këtij takimi pastaj së bashku me Faruk Diri dhe Murat Yilmaz kishin rifilluar prodhimin e heroinës.

Kurse më 23 maj 2022, sipas aktakuzës, policia kishte bërë bastisjen e shtëpisë së të pandehurit Mufail Shabani, ku janë gjetur sasia prej 67.71, kilogram narkotikë të llojit heroinë, ndërsa më 30 gusht 2022, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Doganaj ishte gjetur edhe një sasi prej rreth 25.5 kilogramë narkotik të papërpunuar gjegjësisht, me përbërje morfinë dhe kodein.

Me këtë rast të lartcekurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike nga neni 268 par 1 dhe par 4 lidhur me nenin 275 par 1 nën par 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës i pandehuri Sefedin Dernjani, me dashje dhe dijeni të aktivitetit kriminal që kryhej që nga data 27 prill 2022, kishte ofruar ndihmë logjistike në procesin e prodhimit të heroinës, duke u përkujdesur që të gjejë depon ku fillimisht ishin vendosur thasët në të cilët kishte qenë e vendosur edhe lënda e parë bazë e heroinës, kishte kontraktuar personat për zbrazjen e thasëve të çajit, në të cilët kishte qenë e vendosur lënda bazë e heroinës, po ashtu së bashku me të pandehurin Afrim Dernjani në aeroportin e Shkupit e kishte marrë të pandehurin Abdylvehap Diri, kishte marr me qera automjet, i cili ishte shfrytëzuar nga i pandehuri Afrim Dernjani.

Gjithashtu, thuhet se ata kishte kontraktuar edhe dëshmitarin Agron Berisha, me të cilin së bashku edhe me të pandehurin Afrim Dernjani dhe personin me emrin Samet Drnjani, në Pejë kishin marr bidonat të mbushur me prekusor për prodhimin e narkotikëve.

Me këtë rast i pandehuri Dernjani ngarkohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale, Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268 par 1 dhe par 4 lidhur me nenin 275 par 1 nën par 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Mufail Shabani, që nga data 20 maj e deri më 23 maj 2022, në rrugën “Suksesi”, në fshatin Varosh, me dashje dhe dijeni të plotë të aktivitetit i cili do të kryhej, kishte lëshuar me qera katin e dytë të shtëpisë së tij, të pandehurit Sahit Shabani, që shfrytëzohej si laborator për prodhimin e heroinës, në të cilën shtëpi ishte bërë përpunimi final i narkotikëve, në të cilin përpunim kishin marrë pjesë të pandehurit Abdylvehap Diri, Murat Yilmaz dhe Faruk Diri, ku edhe ishte gjetur dhe sekuestruar sasia e narkotikëve prej 67.5 kilogram heroinë.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268 par 1 dhe par 4 lidhur me nenin 275 par 1 nën par 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Atif Shabani më 22 maj 2022, pasi të pandehurit Sahit Shabani dhe Afrim Dernjani i kishin nxjerrë nga automjeti “Opel Astra” dy thasë të cilat i kishin marr në fshatin Firaj, me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, fillimisht rreth orës 10:44, kishte marrë dy thasë të bardhë të cilat i kishte vendosur në një karrocë, e pastaj i kishte dërguar tek shtëpia e të pandehurit Mufail Shabni, ndërsa rreth orës 16:15 nga shtëpia e tij kishte dërguar me karrocë në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani, një bombol gazi dhe një enë të madhe.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga neni 386 par 2 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Selman Shabani më 22 maj 2022, në mbrëmje me kërkesë të pandehurit Sahit Shabani, me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave ka shkuar në shtëpi dhe nga kati i dytë babai i tij Mufail Shabani, ku kishte qenë duke prodhuar narkotik shtetasit turk, i cili kishte marr tre thasë, i kishte vendosur në karrocë, dhe i kishte dërguar sërish te Sahit Shabani.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga neni 386 par 2 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri Samir Hyseni me qëllim të fshehjes së provave në procedurën gjyqësore, më 20 maj 2022, kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Firaj dhe me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, kishte filluar ta pastroj vendin ku kanë qëndruar shtetasit turq, si dhe t’i largoj dhe djeg disa nga gjësendet të cilat ishin përdorur për prodhimin e narkotikve

Me këtë rast i pandehuri Hyseni akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga neni 386 paragrafi 2 të KPRK-së.

/TV Arbëria

Themes by WordPress