Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme Instituti GAP e ka botuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”, i cili vlerëson nivelin e transparencës buxhetore në 38 komunat e Kosovës. Ky hulumtim ka gjetur trende pozitive =në shumë komuna të Kosovës. Sipas tij“në vitin 2024, numri i komunave që kanë arritur pikët maksimale në Indeksin e Transparencës Buxhetore ka qenë më i larti që prej vitit 2017, kur edhe Instituti GAP ka filluar vlerësimin sistematik të transparencës buxhetore në nivel lokal”.
Me këtë rast, nëntë prej komunave te inspektuara arritën pikë maksimale, sikur ajo e “Kaçanikut, Klinës, Lipjanit, Mitrovicës së Jugut, Prizrenit, Rahovecit, Shtimës, Skënderajt dhe Vushtrrisë”. Kurse në anën tjetër “Komuna e Drenasit, Hanit të Elezit dhe Podujevës kanë treguar gjithashtu një nivel të lartë të transparencës buxhetore, secila me 95 pikë”. Ka mjaftuar ky publikim që zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës ta përdorin atë si triumf politik dhe shembull se si komunat që drejtohen nga kjo parti janë modeli i qeverisës për tërë Kosovën. Me këtë rast kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar, se kjo parti mbetet “kampione transparencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve! Nga tetë komunat me shumicë shqiptare që udhëhiqen nga PDK, pesë prej tyre, Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Skenderaj dhe Vushtrria, kanë arritur vlerësimin maksimal prej 100 pikësh nga Instituti GAP për transparencën buxhetore në vitin 2024. Drenasi dhe Hani i Elezit gjithashtu janë ndër më të mirat, me nga 95 pikë secila. Në total, komunat tona janë kampione absolute të transparencës dhe të menaxhimit të parasë publike.
Ky është standardi që PDK sjell në qeverisje, kudo ku merr përgjegjësi”, ka përfunduar kryetari Krasniqi. Mirëpo, kjo pamje optimiste nuk është e tëra. Si çdo gjë që i ka dritë hijet e saj edhe ky raport e pasqyron një realitet tjetër, që zyrtarët e PDK-së qëllimisht e maskuan. Sepse i njëjti konstaton, se “Komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit vazhdojnë të mos publikojnë asnjë dokument buxhetor dhe mbesin ndër komunat më jotransparente në nivel lokal”. E siç dihet këto dy komuna udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës. E para nga Izmir Zeqiri dhe e dyta nga Ilir Peci. Kjo parti e kishte fituar pushtetin komunal ne zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto qytete pas dorëheqjes kolektive nga përfaqësuesit e Listës Serbe.
Ky zhvillim i ka shkaktuar jo pak kokëqarje Kosovës, pasi Prishtina kishte refuzuar ta dëgjonte rekomandimin e diplomatëve ndërkombëtarë për ripërtëritjen e zgjedhjeve në këto dy komuna si dhe në atë të Leposaviqit e ne Mitrovicë të veriut, që drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje. Autoritetet aktuale qeverisëse komunale janë konsiduerar si jo legjitime për shkak të bojkotimit të shumicës së serbëve lokalë për të marrë pjesë në ato zgjedhje. Në këtë drejtim nëse ka ndonjë komunë ku do të duhej që Partia Demokratike e Kosovës të ishte shembull i qeverisjes pa dyshim se mbeten këto dy komuna në pjesën veriore.
Me një pushtet jo legjitim dhe jo transparent, kjo parti ka dështuar aty ku do të duhej të ishte me efikase. Sepse suksesi në këtë drejtim do ta përçonte mesazhin për banoret serbë lokal se pikërisht qeverisja nga shqiptarët edhe në nivel të pushtetit është modeli që është në të mirë të interesit të përbashkët.