Bedri Shabani, dëshmitar i Prokurorisë së Specializuar në Hagë në rastin e krerëve të UÇK-së, u arrestua në Kosovë si i dyshuar për spiunazh.
Ditëve të fundit dolën edhe biseda të tij me agjentë të BIA-s, njëra prej të cilave ishte bërë një ditë pas sulmit në Banjskë. Një tjetër inicizim konfirmoi takimet e Bedri Shabanit me agjentin e BIA-s, Srgjan Rosiq.
Se është dëshmitar në Gjykatën Speciale e kishte konfirmuar vet Bedri Shabani nëpërmjet avokatit të tij, Besnik Berisha.
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së në Hagë, ndër vite, kishte alarmuar se provat e dëshmitarët e Prokurorisë, janë të orkestruara nga Shërbimet Sekrete të Serbisë.
Ish-avokati i Presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, në një seancë statusore të mbajtur në Hagë, ka deklaruar se rreziku i infiltrimit të Shërbimit Sekret Serb në Speciale vazhdon.
“Ne kemi të drejtë ta dimë prejardhjen e çfarëdo dokumenti që Zyra e Prokurorit të Specializuar po e sjell në këtë sallë gjyqi e që vijnë nga Shërbimi Sekret Serb, ose çfarëdo organi tjetër hetimor. Arsyeja përse kisha nevojë ta përmendja situatën e Marty-t është se kërcënimi – se kërcënimi këtu nga Shërbimet Sekrete Serbe për ta infiltruar dhe penguar drejtësinë në këtë rast po vazhdon”, kishte deklaruar Kehoe.
Avokati tjetër i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, kishte alarmuar për persona të lidhur me Shërbimin Sekret Serb, raporton Nacionale.
“Zbulim serb e kishte penetruar brenda UÇK-së gjatë konfliktit dhe fakti që ky informacion dihej edhe jashtë UÇK-së është pikërisht një provë që do të jepet nga dëshmitari i Prokurorisë. Ky person i infiltruar ishte në nivele të larta të UÇK-së. Dua të them që informacionet nuk i dinte vetëm UÇK-ja po i dinte edhe shërbimi i Zbulimit Serb që nga vitit 1998. Por, në thelb është se cfarë do të ndodhë nëse trupi gjykues e pranon këtë dokument, mbështetët në këtë dokument dhe pastaj zbulohet qartë se edhe kjo del një provë e fabrikuar”, tha më tutje avokati Misetiq, raporton Nacionale.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kishte alarmuar se ka dokumente të lidhura me Shërbimet Sekrete Serbe që po përdoren në gjykatë.
“Pra, ndër provat materiale shoqëruese, që lidhen me shënim përgatitor është një dokumet që i është treguar dëshmitarit gjatë seancës përgatitore, që është një dokument qartazi i dhënë nga autoritetet serbe ndonëse ju keni dhe origjinalin edhe përkthimin në anglisht. Por, është pjesë e së njëjtës kategori me dokumentet që kemi kundërshtuar sa i takon të dhënave që janë futur nga shërbimi sekret serb përpara se të jepej dëshmia në TPNJ, në Ish-Tribunalin e Hagës. Dhe sikurse e dini, një nga këto dokumente është shënuar për identifikim sepse duhet diskutuar ende mes palëve dhe duhet të dalim me parashtrimet konkrete. Sa i takon dokumentit tjetër, është një dokument që është pranuar, por megjithatë është edhe ky dokument që është objekt debati gjyqësor dhe ne kemi kërkuar që Trupi Gjykues që ta riklasifikojë sepse edhe ky është i shënuar për identifikim”, tha Emmerson.
Emmerson kishte alarmuar për dokumente edhe me prejardhje ruse.
“Dua t’i them kërkesat e bëra në vijim: E para që ju të shtyni marrjen e vendimit për materialet e rregullit 103 që kanë të bëjnë me falsifikimet e shërbimeve të inteligjencës së Serbisë në dritën e çështjeve që u ngritën në seancë private, dhe në këtë kërkesë do të përfshihen falsifikimet jo vetëm të shërbimeve të Serbisë por edhe të Rusisë”, kishte thënë ai.
Të gjitha këto deklarata ndër vite, tregojnë se mbrojtja kishte pasur dijeni lidhur me dyshimet se persona të lidhur me BIA-n e Serbisë, janë dëshmitarë. Kjo për t’u ndërlidhur me rastin e Bedri Shabanit që së fundmi u arrestua për spiunazh.
Shabani, nëpërmjet avokatit Besnik Berisha, ishte shprehur se arrestimi i tij ndërlidhej me Gjykatën Speciale. Një fakt pak i besueshëm, pasi audio-incizimet e publikuara së fundmi tregojnë për bashkëpunimin e tij me BIA-n e Serbisë.