Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Dëshmitari që mban numrin 11 në seancën me kundër pyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka thënë se në vitin 1999 nuk e ka njohur Pjetër Shalën.
Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen e ka pyetur dëshmitarin nëse e ka njohur Pjetër Shalën në vitin 1999?
Louis Gilissen: Në vitin 1999, a e njihnit ndonjë që quhej Pjetër Shala, ku ishit në fabrikën e metalit në Kukës?
Dëshmitari: Jo”, u përgjigj ai.
Në përgjigjet e tij, dëshmitari ka mohuar se e ka njohur para vitit 1999, Xhemshit Krasniqin. Më tej, ka shtuar se i njëjti ka pasur lidhje në ndalimin dhe arrestimin e tij.
Derisa avokati e ka pyetur dëshmitarin se a është tifoz futbolli, seanca është mbajtur e mbyllur.
Pas kthimit në seancë publike, dëshmitari ka folur për vendin se ku kanë fjetur.
Louis Gilissen: Gjatë kohës që keni qenë i ndaluar, a keni pasur batanije ose dyshekë në dispozicion?
Dëshmitari: Po, kemi pasur. Vetëm në një periudhë një-ditore na janë hequr prej dhomës.
Louis Gilissen: Po dhe atë që unë quaj ‘u zhdukën batanijet’ dhe dyshekët, a keni diskutuar këtë çështje me Xhemshit Krasniqin, pra fakti që janë zhdukur dyshekët dhe batanijet?
Dëshmitari: Unë nuk e kam njohur Xhemshit Krasniqin dhe në një moment kur ka ardhur te dera dhe na ka parë në beton çka kemi qenë, pa batanije, na pyete prej kur, aty tregoj që ‘unë jam Xhemshit Krasniqi’, aty e kuptova dhe ndërkohë brenda ditë brenda ditës na kanë sjellur batanijet dhe dyshekët prapë në dhomë”, është përgjigjur dëshmitari në pyetjet e avokatit mbrojtës të Shalës.
Ai ka theksuar se pas diskutimit me të, nuk është rrahur më.
Louis Gilissen: A ju kujtohet një moment kur zotëri Krasniqi i pa këto lëndime dhe diskutoi me ju për këtë gjë?
Dëshmitari: Po.
Louis Gilissen: A mund t’i shpjegoni trupit gjykues se çfarë ndodhi dhe çfarë diskutuar me zotëri Krasniqin, si ndodhi?
Dëshmitari: Ai më bëri pyetjen se kush më ra dhe a e kam parë atë person që më ka ra, i thash që ‘jo nuk e kam parë, nuk e kam njohur, e kam pasur kokën ulët dhe për një moment dhe për një moment e kam ndjerë dhimbjen në sy’”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.
Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, dëshmitari tha se kjo ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Krasniqi u solli batanijet dhe dyshekët.
Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës e ka ballafaquar me deklaratat e mëhershme dëshmitarin.
Louis Gilissen: ‘Ishte shumë i befasuar kur i thash, ai tha se kuptoj pse je këtu dhe më pyeti a jeni intervistuar, unë i thash jo dhe të nesërmen unë shkova në shtëpi’. Kjo është pikërisht, këtë dua që dëshmitari të më komentojë, për këtë fjalinë e fundit?
Gjykatësja: Zotëri dëshmitar, a ju kujtohet që jeni liruar të nesërmen?
Dëshmitari: Nuk më kujtohet se unë jam liruar kur është hapur dera që ka hy NATO në Kosovë, atëherë është hapur dera dhe kam dal jashtë unë. Tjetër nuk më kujtohet”, u tha në seancën me kundërpyetjet e palës mbrojtëse.
Në qendrën e paraburgimit në Hagë, Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
/TV Arbëria