Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa i cili po akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme për rastin “PAYKOS”, dëshmitarët Lami Balaj, Nusret Jashanica dhe Feim Kelmendi thanë se mendojnë që kjo kontratë është e dëmshme. Kurse, mbrojtësi i Mustafës, avokati Driton Muharremi tha se vendimi i Arbitrazhit ndryshon gjendjen faktike mbi 95%.
Mustafa ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit pretendohet të jetë afër 7 milionë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tre dëshmitarët qëndruan pranë deklaratave të tyre të dhëna më herët në Prokurori, ku kishin deklaruar se kontrata në fjalë është e dëmshme.
Dëshmitari Lami Balaj (kryetar i Federatës Sindikale të Postës dhe Telekomit të Kosovës), tha se pas ankesave dhe informatava të shumta në lidhje me disa kontrata, në mesin e të cilave ka qenë edhe ajo e Telekomit dhe PAYKOS, kanë vendosur që ta dorëzojnë rastin në Polici.
Në lidhje me këtë, dëshmitarët Balaj dhe Jashanica (ky i fundit në atë kohë, kryetar i Sindikatës në degën e Drejtorisë), thanë se detyrë e tyre ka qenë mbrojtja e të drejtave të punëtorëve.
Balaj deklaroi se këto kontrata nuk i kanë raportuar fillimisht brenda Telekomit, për shkak të mungesës së besimit. Tha se nuk ka pasur informacione në lidhje me kontratën dhe se nuk e ka kërkuar atë përmes ndonjë kërkese për qasje dokumente publike.
Kurse, shtoi se vetëm nga mediat është njoftuar për vendimin e Arbitrazhit, për të cilin mbrojtja thotë se e ka ndryshuar gjendjen faktike për 95%.
Ndërsa, në fund të dëshmisë së tij, Balaj u deklarua edhe në lidhje me arsyen se pse ka menduar se është kontratë e dëmshme. Sipas tij, pikat ku i ka furnizuar Telekomi i Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës me mbushje elektronike, i kanë kaluar një kompanie e cila ka marrë provizion për këto shërbime.
“Ndërsa, punëtorët tonë të cilët i kanë furnizu ma herët këto pika, kanë nejt, kanë marrë rrogë badihava”, shtoi në fund dëshmitari Balaj.
Në anën tjetër, në lidhje me denoncimin e këtyre rasteve, dëshmitari Nusret Jashanica tha se ajo është bërë si kërkesë nga kryesia e Kuvendit të Sindikatës.
Dëshmitari Jashanica pohoi se ende mendon se kjo kontratë ka qenë e dëmshme, duke shtuar se kjo ka të bëjë me lartësinë e përqindjes së fitimit nga ana e PAYKOS, e që sipas tij, atyre u ishte dukur e paarsyeshme.
Kurse, sipas dëshmitarit Feim Kelmendi, kontrata fillestare nuk ka qenë e dëmshme, por që të dëmshme kanë qenë anekset pasuese, e sidomos një memorandum i mirëkuptimit për zbatimin e kontratës.
Dëshmitari Kelmendi tha se përafërsisht një vit pas fillimit të zbatimit të kontratës, është bërë një memorandum.
I njëjti tha se rreth një vit para nënshkrimit të kësaj kontrate, Telekomi kishte lansuar një kanal të ri të shitjes, përmes së cilit ishin hapur diku rreth 1 mijë e 500 pika shitëse, e të cilave u paguhej 7% provizion.
“Dhe si kanal ishte funksional dhe ishin rritur shitjet dukshëm përmes këtij kanali”, shtoi Kelmendi.
Kurse, me nënshkrimin e kontratës me PAYKOS, Kelmendi tha se Telekomi duhej të paguante provizionin prej 9.7% në shitje. Diferencë kjo që sipas tij, deri diku mund të konsiderohej e arsyeshme.
Mirëpo, ajo se çka e bën të dëmshme këtë kontratë, sipas Kelmendit, është nënshkrimi i anekseve 2 dhe 3 (për të cilat nuk ishte i sigurt se a janë numrat e saktë të anekseve). Kjo pasi, sipas tij këto anekse kanë paraparë bonuse shtesë me pragje minimale. Këto anekse, tha se e kanë të njëjtën datë me kontratën.
“Këto anekse kanë parapa bonuse shtesë me pragje minimale të cilat lehtësisht janë arritë nga kontraktori PAYKOS, e që efektivisht për secilën prej tyre ka pas me marrë edhe nga 1% provizion shtesë”, shtoi Kelmendi.
Kurse, tha se pas një viti është nënshkruar edhe memorandum mirëkuptimi, e që sipas tij, përmes të njëjtit kanë ndryshuar provizionet në dëm të Telekomit.
“Konsideroj se është e dëmshme, se duke pasur kanal të shitjes me 7%, realisht me të gjitha këto anekse bashkë dhe me memorandum, u shndërrua në 16%, pra më shumë se dyfish”, tha ai.
Sipas Kelmendit, përmes kanalit të shitjes USSD, shitjet kanë qenë 1.5 milion euro në muaj, kurse vetëm 200 deri 300 mijë euro në muaj përmes PAYKOS.
Ndërkaq, tha se ka pasur edhe një vendim përmes së cilit është mbyllur ai kanal i USSD, duke çuar më pas në 1.5 milion euro në muaj shitjet e PAYKOS.
Ndër të tjera, Kelmendi tha se është edhe ankesi 6, që sipas tij, përmes të njëjtit është paraparë shitja e kartelave grrithëse në vlerën 900 mijë euro, me provizion 30%. Tha se me llogaritjet sipas memorandumit, i bie 34-35%.
“Kjo u bë me arsyetimin se gjoja këto janë kartela të vjetra dhe po kanë problem me u grrithë dhe ato të njëjtat pas një kohe janë kthyer në Telekom dhe PAYKOS-it i është dhanë ajo vlerë e mbushjeve të rregullta elektronike, të cilat sipas kontratës bazë kanë pas provizion 16% vlerën bashkë, siç e shpjegova më lartë”, shtoi Kelmendi.
Pra, sipas tij, produkti i njëjtë që ka mundur të shitet me kontratën bazë në vlerën 16%, bazuar në aneksin 6 janë paguar në 34%.
Në lidhje me vendimin e Arbitrazhit, dëshmitari Kelmendi tha se PAYKOS nuk do t’i paguajë asgjë Telekomit. Sipas tij, kjo nuk do të thotë që nuk ka dëm.
Paraprakisht, në këtë seancë janë dhënë edhe fjalët hyrëse, ku prokurorja Ardiana Veseli tha se do të vërtetohet se i akuzuari Mustafa, në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, ka vepruar në dëm të ndërmarrjes, duke shkaktuar dëm në shkallë të madhe.
“Jam mëse e sigurt se në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor, do të bindeni se këtu i akuzuari është penalisht përgjegjës për veprën penale për të cilën është akuzuar dhe se ndaj tij do të merret aktgjykim dënues meritor”, tha Veseli.
Se veprimet e të akuzuarit Mustafa kanë shkaktuar dëme financiare, e thotë edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Sanije Sahiti. Ajo kërkoi që Mustafa të shallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Driton Muharremi, mes tjerash tha se në këtë çështje penale nuk plotësohet as standardi i dyshimit të arsyeshëm se mbrojturi i tij ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Po ashtu, ai tha se Prokuroria ka dëgjuar mbi 10 dëshmitarë gjatë fazës së hetimeve dhe është mjaftuar me tre prej tyre që t’i procedojë në akuzë, e që nuk kanë kurrfarë lidhje e as ekspertize me këtë çështje, por sipas tij, të gjitha i kanë në bazë të supozimeve dhe dëgjimeve.
“Duke anashkaluar menaxherët dhe personat kompetentë, të cilët kanë dhënë deklarata në procedurë paraprake”, shtoi avokati Muharremi.
Ndër të tjera, Muharremi tha se do ta provojnë se Prokuroria kundërligjshëm ka marrë aktvendim për pezullim të hetimeve më 1 shtator 2022, sipas tij, me të vetmin qëllim që ta ndalojë parashkrimin relativ.
Ai tha se ky pezullim ishte bërë me arsyetim se lëndën po e dërgon jashtë vendit për ekspertizë. Shtoi se dispozita e nenit 157 të Kodit të Procedurës Penale, që ka qenë në fuqi në atë kohë, i ka paraparë tri arsye, e ku në asnjërën prej tyre nuk bën pjesë dërgimi i ekspertizës jashtë vendit.
Pretendim tjetër i avokatit Muharremi ishte edhe se Prokuroria ka vepruar me standard të dyfishtë në rastin konkret.
Ai tha se Prokuroria e akuzon vetëm Mustafën, e jo dhe menaxherët dhe drejtorët që ia kanë rekomanduar drejtorit gjeneral nënshkrimin e kontratës.
“Ata i amniston e bile nuk i propozon as edhe si dëshmitarë”, tha avokati Muharremi.
Ndërkaq, krejt në fillim të kësaj seance, avokati Muharremi kërkoi që kjo seancë të shtyhet pasi sipas tij mbrojtja është e mangët ngase nuk e ka pranuar vendimin e Arbitrazhit. Sipas tij, bazuar në këtë vendim të Arbitrazhit ndryshon gjendja faktike mbi 95%.
“Duke pas parasysh që gjendja faktike nga ajo që paraqitet në aktakuzë pas fitimit të rastit të Telekomit ndaj Paykos në Tribunalin e Arbitrazhit të Zvicrës, ku gjendja faktike nga ekspertizat e kaluara ka ndryshuar mbi 95%, ku nga vetë komunikata e Telekomit shihet se Arbitrazhi i ka hudhur të gjitha pretendimet se kemi të bëjmë me kontratë të dëmshme prej 6.8 milionë”, shtoi ai.
Muharremi tha se ka mbetur e paqartë vetëm një pjesë prej rreth 500 mijë euro, për të cilën sipas tij nuk është mundur të vendoset për shkak të mungesës së informatave dhe provave.
Avokati Muharremi gjithashtu kërkoi që gjykata ta obligojë Telekomin që t’ia dorëzojë atë vendim Gjykatës, Prokurorisë dhe mbrojtjes.
“Dhe pasi ta pranojnë të njëjtin, nëse qëndrojnë këto çka është thënë në komunikatat e Telekomit, se rasti është fituar dhe kontratat janë të ligjshme, atëherë medoemos do duhej të caktohej ex officio një ekspertizë e re financiare, bazuar në aktgjykimin e Arbitrazhit të Zvicrës”, tha ai.
Me vendimin e Arbitrazhit nuk ishte njoftuar as prokurorja Ardiana Veseli, e cila kërkoi që t’i sigurohet i njëjti dhe u pajtua që seanca të shtyhet.
“Ne si Prokurori nuk jemi njoftuar me aktgjykimin e Gjykatës së Arbitrazhit, e tani sapo e dëgjova nga avokati. Andaj, kërkoj nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar që të na njoftoj se a e posedojnë një kopje të aktgjykimit të tillë. Nëse po, pajtohem që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër”, tha prokurorja Veseli.
E faktin se ekziston një vendim i Arbitrazhit e pohoi edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Sanije Sahiti, por që nuk e pa të nevojshme që kjo seancë të shtyhet.
Më pas, gjykatësi Sabit Sadikaj mori aktvendim përmes së cilit refuzoi kërkesën e avokatit Muharremi dhe seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve.
Gjyjatësi Sadikaj tha se sipas Kodit të Procedurës Penale vjen momenti kur Gjykata ka obligim që të dëgjojë propozimin e palëve dhe t’i shqyrtojë propozimet.
Kurse, pas fjalës hyrëse dhe dëgjimit të dëshmitarëve, me propozimin e avokatit Muharremi, gjykatësi Sadikaj obligoi palën e dëmtuar që ta dorëzojë në gjykatë një kopje të atij vendimi të Arbitrazhit.
Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të marrë më 5 mars 2024 e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Mustafës për rastin “PAYKOS”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit thuhet të jetë afër 7 milionë euro.
Kurse, Gjykata e Apelit më 14 gusht 2024 e ka refuzuar ankesën e paraqitur nga Mustafa, duke konfirmuar aktakuzën për lidhje të kontratës së dëmshme.
Ndryshe, për këtë çështje penale Themelorja më 9 janar 2024 ka mbajtur seancën fillestare, në të cilën i pandehuri Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila rezulton të jetë përpiluar më 3 maj 2023, i akuzuari Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me Paykos L.L.C ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.
Tutje, akti akuzues thotë se i akuzuari Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu Paykosin në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.
Sipas akuzës, të dëmshme janë vlerësuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.
Me lidhjen e këtyre ankeseve-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.
Me këto veprime, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.
Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij dhe dy ish-drejtuesve tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.