Veprimtari Dervish Çadraku ka qenë i ftuar në emisionin “N’Pult” në TV Arberia, ku ka rrëfyer në detaje angazhimin e tij të hershëm patriotik, mungesën e literaturës për historinë shqiptare, si dhe aktivitetet ilegale kundër regjimit jugosllav në vitet ‘70.
Çadraku tha se shqiptarët për historinë e tyre dinë shumë pak, sepse gjeneratat e kaluara janë rritur me informacione të cunguar dhe të ndaluara nga regjimet e kohës.
Ai u shpreh:
“Ne për historinë e popullit shqiptar pak kemi shkruar, ose dimë nga të tjerët, për shembull sidomos unë kam një shoqatë, Shoqata Arbëria, për kultimin e vlerave kombëtare dhe e patëm bërë bashkë me shoqërinë një projekt, me shku nëpër shkolla me pa se sa mësojnë nxënësit për popullin e kombit shqiptar e sidomos asaj të pas luftës. E për habinë tonë, nxënësit e shkollave të mesme e pamë ishin një faqe ose dy faqe prej vitit 1945 e deri në luftën e fundit të UÇK-së”.
Ai shtoi se kjo mungesë i ka shtyrë ata që të kontribuojnë vetë në dokumentimin e historisë.
“Kjo na jep mundësinë që ne t’i shpalosim disa të dhëna për historinë, e mundemi me i kontribu se na kryesisht historinë e kemi mësuar nga rapsodët, sepse na libra tonë s’kemi pasur dhe armiqtë nuk na kanë leju”.
Sipas tij, festa e 28 Nëntorit ka shumëfish domethënie.
“Festa e nëntorit i ka tri të mira: shpallja e pavarësisë, dalja e parë publike e UÇK-së edhe që lidhet me Skënderbeun”.
Çadraku tregoi se burimet e informacionit për historinë e popullit shqiptar në vitet e rinisë së tij kanë qenë të kufizuara, por shumë domethënëse.
“Populli shqiptar i Kosovës ka vuajtur shumë dhe janë dy burime që ne të rinjtë atëherë në vitet e ‘80 e ‘90 i kemi marrë informacionet për historinë tragjike: së pari nga familja, sepse thuhet se nuk ka pas familje që nuk është prekur nga sistemi jugosllav a serbosllav. E dyta, unë në televizionin shqiptar te na ka filluar në 1974, dhe ka kontribuar shumë me filma, dokumentar që kanë folur për historinë e popullit shqiptar dhe ishte frymëzim për neve”.
Rolin e Adem Demaçit e cilësoi thelbësor në formimin e tij politik dhe kombëtar.
“Mu më ka shtinë njëfarë mënyrë më së shumti Adem Demaçi. Pse? Në vitin 1975 Demaçi me bashkëpunëtorë ka qenë në burg dhe për natë dilnin në televizion se si këta kanë vepru keq dhe ne tashmë duke e ditur kontributin e tij e kush është ai, kemi fillu që veprimtaria e parë që e kemi shpërnda, parulla e tij, kemi filluar për lirimin e tyre”.
Ai tregoi se në moshën 17-vjeçare kishte formuar një grup ilegal me shokët e tij.
“Kam qenë atë kohë në vitin e tretë të gjimnazit, në moshën 17 vjeçare kemi fillu një grupim, prej 6-7 veta e krijuam grupin ‘Kosova e Re’, e bëmë një plan dhe fillimisht shpërndam parulla 28 nëntor të ’75”.
Çadraku rrëfeu se aktivitetet e tyre shpesh përfshinin akte kundërshtimi ndaj simboleve jugosllave dhe serbe.
“E më e rëndësishmja, ne filluam të gjenim flamuj jugosllavë e komunistë, serb, i shkynim mas darke në errësirë dhe në njëfarë mënyrë për të treguar mllefin tonë ndaj Serbisë. Kemi fillu me shkryjen e flamujve dhe shpërndarjen e parullave për lirimin e Demaçit”.
Ai shtoi se edukimi patriotik fillimisht duhej zhvilluar brenda grupit.
“Së pari, na u dashtë vetë të pajisemi me këto njohuri për historinë e popullit shqiptar dhe nevojat se çfarë duhet të bëjmë për këtë popull. E dyta ka qenë që këto t’ua shpërndajmë edhe të tjerëve, shokëve të klasës, lagjes”.
Një nga momentet e hapur të rebelimit të tyre ishte thyerja e fotografisë së Titos në shkollë.
“Në gjimnaz e kemi thyer fotografinë e TITO-së në klasë, për të treguar revoltën ndaj sistemit të tyre”.
Ai rrëfeu se pas shumë aktivitetesh ilegale, më 1976 janë kapur nga policia.
“Në sy nuk kemi rënë deri sa na kanë zënë në vepër, në vitin 1976 kemi pas aksione në Rahovec, Gjakovë, Therandë, Prizren. Unë isha me grupin tim në Gjakovë dhe i shpërndam parullat, por të fundit duke e vendosë na kishte vërejtur dikush se ishte një kuti, edhe duke mendu që ne po duam me vjedh apo diçka, dhe na zunë në vepër me revole, na lidhën, na dërguan në stacionin e policisë”.
Maltretimet e asaj kohe i kujton me dhimbje.
“Ju mund ta merrni me mend se unë e kam parë në televizione tjerë ato maltretime që i kanë bërë kryesisht shqiptarë. Neve nuk di që na kanë marrë serbë në pyetje, na kanë marrë në pyetje shqiptarët. Mua në Gjakovë në atë natë ma kanë shpërthyer timpanin e veshit, ndërsa në Prizren shefi i këtyre gjërave ka qenë Vesel Krasniqi dhe të tjerë”.
Hetuesia nuk u mjaftua vetëm me torturat, por kërkoi prova që aktivitetet e tyre i diktonte dikush tjetër.
“E keqja më e madhe se ata nuk donin me besu që i bëjmë këto gjëra pa na mësu dikush. Në banesën time kishin gjetur materiale me vula me shqiponjë të Skënderbeut dhe poezi që iu dukën me nivel të lartë dhe thanë se ato nuk i keni shkruar ju. Më patën detyru me shkru një poezi në hetuesi”.