Deri në fillimin e vitit 2024 pacientët që nuk marrin shërbime në spital duhet të presin për të kryer rezonancë magnetike. Kjo listë e gjatë e pritjes po krijohet për shkak të kërkesave të mëdha ditore që po referohen për këtë lloj shërbimi diagnostik.
Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shkëndije Nuza, ka thënë se listë të pritjes për rezonancë magnetike nuk ka për rastet spitalore dhe ato të sëmundjeve onkologjike.
Ajo ka theksuar se pritjet më të gjata janë te pacientët ambulantorë, por është shprehur se po punojnë në drejtim të zvogëlimit të kësaj liste.
Nuza: Deri në fillim të vitit 2024 janë listat e pritjes për rezonancë magnetike
“Terminet klasifikohen në termine për pacientë spitalorë nuk ka (listë pritjeje) për arsye se vendos klinicisti, për të cilët e kanë një organogram që i është dorëzuar secilës klinikë veç e veç për të pasur ditën dhe orën e caktuar për kohën kur ka për të kryer incizimin… Listë të pritjes për fëmijë, nëse mund ta quajmë, 1 javë apo mesi i javës tjetër, nuk është listë e pritjes. Me funksionalizimin e shërbimit radiologjik tek spitali i fëmijëve, dita-ditës që po pritet, atëherë nuk do të ketë listë të pritjes hiç tek fëmijët… Rastet onkologjike, nga ardhja ime, jam përpjekur vazhdimisht dhe sot nuk presin më shumë se kanë referim nga onkologu… Listë të pritjes ka tek pacientët ambulantorë, por ajo është vetëm një listë sa ta mbajmë ecurinë, kontinuitetin në termine… Fillimi i 2024-ës (zgjat lista aktuale e pritjes), por për momentin në muajin mars dhe prill jemi duke i sistemuar pacientët e muajit qershor, jemi me dy muaj përpara”, ka theksuar Nuza.
Drejtoresha e Radiologjisë në QKUK, Shkëndije Nuza është shprehur se kërkesat për rezonancë magnetike janë jashtëzakonisht të mëdha.
Sipas saj, brenda ditës 50 deri në 60 kërkesa janë për këtë të marrë këtë lloj shërbimi.
Nuza: Ka kërkesa të jashtëzakonshme për rezonancë magnetike
“Është shumë sfiduese për arsye se ka presione të vazhdueshme, secili kërkon të kryhet një ekzaminim me rezonancë magnetike dhe unë mendoj se edhe kërkesa me rezonancë magnetike të tejkaluara, janë shumë numri është shumë i madh…. Kërkesa ka të jashtëzakonshme çdo ditë e mundshme më së paku 50-60 kërkesa për rezonancë magnetike vijnë. Prej janarit kemi filluar me dy rezonanca për arsye se të gjithë e dimë që e kemi pas në defekt rezonancën në ndërtesën e Onkologjisë, tash me aktivizimin e saj nga gjysma e dytë e janarit pjesën e paradites përveç rasteve spitalore çdo ditë kryhen 4 raste ambulantore jemi në përgjithësi duke u munduar secilën herë të sistemojmë sa më shumë njerëz sa më shumë ekzaminime”, ka theksuar ajo.
Ajo ka thënë se si klinikë vazhdimisht janë ballafaquar me mungesë të stafit infermieror, prandaj shpreson se së shpejti me konkursin e fundit të hapur për infermierë do të kenë mundësi edhe për ofrim të shërbimeve të tjera.
Nuza: Kemi mungesë të stafit infermieror
“Kemi pas mungesa sidomos të stafit të mesëm por për momentin veç na ka përkrahur drejtoria dhe ka hap konkursin për staf të mesëm për Radiologjinë. Në të ardhmen është me rëndësi funksionimi i shërbimit radiologjik në Spitalin Pediatrik që për momentin jemi duke funksionuar, por jo komplet derisa të funksionalizohet edhe rezonanca magnetike. Dhe pastaj do të kemi shërbimin 24 orë në aspektin e realizimit të ekzaminimeve kur pranohet stafi i mesëm dhe e shpërndajmë në të gjitha klinikat”, ka theksuar ajo.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës viteve të fundit është ballafaquar me ikjen e profesionistëve shëndetësorë, por Nuza shprehet se kjo dukuri nuk e ka prekur Klinikën e Radiologjisë.
Nuza: Nuk ka ikje të specialistëve nga Radiologjia
“Në aspektin e specialistëve nuk kemi ikje, ka kohë është stafi i njëjtë vetëm një mjek është pensionuar as nuk e kanë lëshuar punën siç ndodh të kalohet në sektorin privat, apo jashtë vendit. Për momentin ne i kemi 29 specialistë të Klinikës së Radiologjisë dhe janë 34 specializantë viti i tretë që edhe 1 vit e gjysmë e kryejnë specializimin dhe do të jenë të gatshëm për mbështetje të stafit”, ka shtuar ajo.
Në fund të muajit të kaluar, në Spitalin e Pejës është funksionalizuar aparatura e rezonancës magnetike.
/TV Arbëria