Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu e ka ngritur në Kuvend çështjen e mungesës së ujit të pijshëm në një pjesë të kryeqytetit si pasojë e ndotjes së liqenit të Badocit me sasi të madhe të manganit.
Ajo tha në seancën e sotme se “qindra mijëra qytetarë janë detyruar të blejnë ujë çdo ditë”.
“Sot jam këtu për të folur për një krizë të madhe që ka rënduar e po rëndon mbi gjysmën e Prishtinës. Tashmë prej tri javësh, kryeqyteti po përballet me mungesë të ujit të pijshëm për shkak të pranisë së manganit në ujin e liqenit të Badocit”, tha Zejnullahu.
Ajo tha se “këta qytetarë po e ndjejnë rëndesën e një keqqeverisjeje”.
“Kjo situatë alarmante është pasojë e një neglizhence të qëllimshme, një paaftësie e cila është bërë normë në këtë qeveri që po luan me jetën dhe shëndetin e qytetarëve të saj”, tha ajo.
Zejnullahu tha se Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj krize.
“Në vend që qeveria me vepru, me marrë masa parandaluese dhe sanuese të këtij problemi, ajo vazhdon me qëndru e heshtur dhe pasive”, tha ajo.
Deputetja tha se Qeveria s’ndërmori “asnjë hap të vetëm konkret për pastrimin e Liqenit të Badocit” apo “për krijimin e alternativave të tjera për furnizim me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës”.
“Sipas ligjit për ujërat, kryeministri është kryetar i këshillit ndërministror për ujëra, dhe si rrjedhojë, ai është i detyruar që të vijë në Kuvend e të raportojë për këtë situatë”, tha ajo.