Dy ditë para përfundimit të vitit 2023, ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Jeff Hovenier, ka thënë se në vitin 2024 kanë pritshmëri që dialogu Kosovë-Serbi të avancojë edhe më shumë.
Ai ka kërkuar sërish që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet dhe procesi i normalizimit Kosovë-Serbi të përmbyllet me njohje reciproke.
Por, ajo që po e stagnon këtë proces është pikërisht çështja e Asociacionit.
Pikërisht për këtë diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor, paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit.
Këtë plan kryeministri Kurti tha se është i gatshëm ta nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi në takimin me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të BE-së.
Lidhur me ecurinë e dialogut dhe çështjen e Asociacionit për Front Online ka folur deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Ajo thotë se që kur kryeministri Albin Kurti është duke qeverisur ka pasur zmbrapsje në procesin e dialogut.
“Vlerësoj që ka pasur zmbrapsje në procesin e dialogut sepse me z.Kurtin kemi dialog pa epilog, pa strategji, pa transparencë dhe pa kohë të caktuar të përfundimit”, është shprehur Musliu-Shoshi për Front Online.
Sipas tij, Asociacioni do të jetë temë kryesore në këtë proces deri në themelimin e tij.
“Asociacioni derisa të themelohet do të jetë temë kryesore në dialog! Çështjet e diskutuara në dialog shpesh e kanë dërguar vendin në zgjedhje”, ka shtuar deputetja Musliu-Shoshi.
Musliu-Shoshi: Vendi mund të shkojë në zgjedhje shkaku i Asociacionit
Kohëve të fundit janë shtuar zërat që në vitin 2024 mund të ketë zgjedhje të parakohshme.
Një të tillë e ka thënë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Kurse, të enjten edhe shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari Lila ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi siç ka shtuar ajo duhet të respektohet kalendari zgjedhor.
Por, një çështje që mund ta dërgoj vendin në zgjedhje sipas deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi është Asociacioni.
“Prandaj nuk e përjashtoj mundësinë qe asociacioni te jete arsyeja e shkuarjes në zgjedhje. Albini nuk mund të ketë sukses në dialog e as ta avancoj statusin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Musliu-Shoshi për Front Online.
Kosova dhe Serbia në shkurt të vitit 2023, kanë arritur marrëveshjen bazë në Bruksel, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të kësaj ujdie në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por pa i vendosur nënshkrimet për shkak të refuzimit të presidentit serb, Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq gjatë vitit 2023 janë takuar edhe dy herë të tjera, fillimisht në muajin maj por edhe në shtator, por pa gjetur pajtueshmëri për sekuencimin e planit të zbatimit të marrëveshjes bazë./Front Online