Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha u ka bërë thirrje që të ruajnë vlerat e UÇK-së, raporton TV Arbëria.
Në një prononcim për TV Arbëria, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, e ka quajtur thelbësore ruajtjen dhe mbrojtjen e UÇK-së, si një prej vlerave më sublime të kombit tonë.
“Është thelbësore që të ruajmë dhe të mbrojmë UÇK-në si një prej vlerave më sublime të kombit tonë”, është shprehur ai.
Berisha thotë se s’duhet lejuar që UÇK të identifikohet me kriminelë apo me krime të cilësuara nga ligji dhe gjykatat, pasiqë sipas tij është rrezik i cili ka qenë i pranishëm që në themelimin e saj.
“Nuk duhet lejuar që UÇK të identifikohet me kriminelë apo me krime të cilësuara nga ligji dhe gjykatat. Ky është një rrezik që ka qenë i pranishëm që në themelimin e saj, gjatë luftës për çlirim dhe që vazhdon edhe sot në liri, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në Hagë me raporte si ai i Dick Martit, i miratuar në Këshillin e Evropës”, thotë Berisha.
Ai ka deklaruar se UÇK ishte një organizatë që doli nga populli, lindi si domosdoshmëri për t’iu kundërvënë represionit gjenocidial të regjimit serb, teksa shtoi se UÇK luftoi për lirinë për të ndërtuar paqen duke vendosur drejtësi.
“UÇK ishte një organizatë që doli nga populli, lindi si domosdoshmëri për t’iu kundërvënë represionit gjenocidial të regjimit serb të kriminelit Millosheviç. UÇK luftoi për lirinë për të ndërtuar paqen duke vendosur drejtësi.”
Tutje, Berisha flet për patriotët i cili vlerëson se nuk duhet t’i harrojmë, të cilët dhanë jetën për qëllime patriotike, derisa shton se do mbesin gjithmonë heronj të Kosovës.
“Ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë patriotët që, pas luftës, dhanë jetën për qëllime patriotike dhe në të mirë të territorit dardan. Ata do të mbesin gjithmonë heronj të Kosovës.
UÇK ishte, është dhe do të mbetet çlirimtarja e Kosovës nga okupuesit dhe e ka kryer misionin e saj me nder”, ka thënë Berisha.
Berisha hedh akuza duke thënë se kjo politikë dezinformuese po ushqehet sot nga qarqe të caktuara në Prishtinë, fatkeqësisht, si dhe nga qarqe në Beograd, më tej ai konstaton se këto janë qarqe që i shërbejnë Serbisë.
“Kjo politikë dezinformuese po ushqehet sot nga qarqe të caktuara në Prishtinë, fatkeqësisht, si dhe nga qarqe në Beograd, që është e pritshme. Këto janë qarqe që i shërbejnë Serbisë dhe armiqve të pavarësisë së Kosovës. Ata kanë për detyrë urrejtjen ndaj UÇK-së, urrejtjen ndaj lirisë dhe zhbërjen e vlerave të saj.”
Sipas vlerësimit të tij, detyra e jona është që të mbrojmë trashëgimin e UÇK-së, dhe të kujtojmë se lufta për çlirim ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme për popullin tonë.
“UÇK është simbol i sakrificës dhe i luftës për liri. Është detyra jonë që të mbrojmë këtë trashëgimi dhe të kujtojmë se lufta për çlirim ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme për popullin tonë. Nuk duhet të lejojmë që këto përpjekje të deformohen apo të përdoren për qëllime politike nga armiqtë e lirisë sonë.”
Deputeti i PDK-së kërkon që si detyrë kombëtare, të qëndrojë populli i bashkuar në mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe të refuzojmë çdo përpjekje për t’i identifikuar ato me krime.
“Si detyrë kombëtare, le të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe të refuzojmë çdo përpjekje për t’i identifikuar ato me krime. Liria dhe pavarësia jonë janë rezultat i sakrificave të panumërta dhe duhet të jenë krenaria jonë kombëtare”, përfundoi Berisha për TV Arbëria.