Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në një prononcim për TV Arbëria, ka folur në lidhje me çështjen e vitiztave të qytetarëve në liqenin e Ujmanit, teksa për Qeverinë Kurti tha se po e shkel Dinjitetin dhe Sovramitetin e Kosovës, derisa komentoi edhe një titullin “Ana që s’e pamë: Personat që laheshin në Ujman, ruheshin nga Njësia Speciale mbi urë”, që sipas tij ishte shumë poshtërues.
Më tej, Berisha tha se e vetmja gjë që duhet të na shqetësoj është se larja në liqej është shkelje ligjore, ngase uji i tyre përdoret edhe për pije, e sado që filtrohet infeksionet nuk hiqen.
“Regjimi i Mashtrimeve – Qeveria Kurti Po Shkel Dinjitetin dhe Sovranitetin e Kosovës.
“Ana që s’e pamë: Personat që laheshin në Ujman, ruheshin nga Njësia Speciale mbi urë”.
Ky titull ishte shumë poshtërues për ne që e duam shtetin funksional me integritet politik e territorial të pacenueshëm, bile do të doja që poshtë urës më mirë të kishte pjesëtarë të policisë tek freskoheshin…! Fundja, çfarë senzacionaliteti është larja në liqe, qoftë ai i Ujmanit, Radoniqit, Badovcit, Batllavës, kur që të gjithë janë të Kosovës. E vetmja gjë që duhet të na shqetësojë është fakti se larja në liqej është shkelje ligjore, ngase uji i tyre përdoret edhe për pije, e sado që filtrohet infeksionet nuk hiqen. Sa ishte administrator një nga prania ndërkombëtare në Kosovë, gjerman me përkatësi, e ndaloi larjen në Liqenin e Radoniqit, kur konstatoi se disa “alga” të dëmshme për shëndetin e qytetarëve ishin krijuar pikërisht për shkak të larjes në liqe”, është shprehur ai.
Pas titullit të cekur më lartë Berisha ironizon duke thënë se është i përshtatshëm për qeveritarët e sotëm, të cilët e mashtruan popullin vetëm për votë.
“Por ky titull i shkrimit që bëri të ditur lajmin duket shumë i përshtatshëm për qeveritarët e sotëm që çdo gjë e kanë vetëm improvizim e mirazh, për të mashtruar popullin ashtu siç i mashtruan për votë. Kjo është pikërisht gjuha me të cilën duhet komunikuar me ta”, tha ai.
Berisha potencon se lëvizja e lirshme dhe larja në liqenin e Ujmanit nuk janë tregues të shtrirjes së sovranitetit, teksa shtoi se zbatimi i ligjeve pozitive nuk do të thotë sundim i ligjit, aq më tepër kur në territor mbahen Forcat e Armatosura.
“As lëvizja lirshëm apo shëtitja e porositur nëpër pjesën veriore dhe as larja në liqenin e Ujmanit, nuk janë tregues të shtrirjes së sovranitetit, ngase sovraniteti do të thotë funksionimi i institucioneve të shtetit në atë pjesë të territorit, mbledhja e taksave, tatimeve, etj. Po ashtu, zbatimi i ligjeve pozitive nuk do të thotë sundim i ligjit, aq më tepër kur në territor mbahen Forcat e Armatosura dhe përballemi me refuzimin e komunitetit shumicë të atyre komunave (kategori kushtetuese) që të integrohen politikisht”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Sipas Berishës, skenare të tilla mashtruese aplikojnë vetëm regjimet e majta totalitare dhe komuniste.
“Pra, skenare të tilla mashtruese aplikojnë vetëm regjimet e majta totalitare dhe komuniste. Një situatë të tillë mund ta shohim vetëm në Korenë e Kim Jong-un, i cili me këto metoda ua ka krijuar bindjen qytetarëve koreanë se e kanë fituar edhe Kampionatin Botëror.”
Shëtitjet në territorin e Kosovës, defilime të tjera të koordinuara me eksponentë serb të cilët kanë kontrollin kriminal në disa vendbanime të caktuara, apo duke vënë në veprim kapacitetet e NJOS-it të Policisë për t’iu mundësuar mashtruesve politikë këto spektakle sipas vlerësimit të Berishës kjo është fyerja më e rëndë që po i bëhet inteligjencës qytetare.
“Të dashur qytetarë të vendit tim. Shumë do të dëshiroja dhe kemi sakrifikuar që ta kemi një Kosovë shumë më të mirë nga çfarë po mundohet të na e servojë e improvizuar kjo kastë mashtruesish. Por, kjo me Ujmanin, me shëtitjet nëpër territor të Kosovës, e shumë defilime të tjera të koordinuara me eksponentë serb që kanë kontrollin kriminal nëpër vendbanime të caktuara, apo duke vënë në veprim kapacitetet e NJOS-it të Policisë për t’iu mundësuar mashtruesve politikë këto spektakle si të Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, Ministrit të Punëve të Brendshme e shumë deputetëve të mazhorancës nga ajo trevë, është fyerja më e rëndë që po i bëhet inteligjencës qytetare dhe vetë popullit në përgjithësi”, potencoi Berisha.
Tutje, ai thekson se si popull që kemi sakrifikuar duhet ta ndalim këtë qeveri mashtruese.
“Si popull me dinjitet (nëse ka mbetur ndopak nga poshtërimet ndër vite) që kemi sakrifikuar shumë në rrugën e gjatë e të rëndë me shumë dhimbje, duhet t’i ndalim këta mashtrues kuislingë që me metoda komuniste po përpiqen të na bindin me të vërtetën e tyre, pasojë e simptomit “psychologia fantastica”” përfundoi Berisha për TV Arbëria.