Deputeti dhe analisti politik Hisen Berisha ka deklaruar se PDK duhet të tregojë “pjekuri politike” dhe të bashkojë energjitë opozitare, duke mos lejuar që përçarjet të favorizojnë Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Berishës, në rrethanat aktuale politike, zgjedhja nuk duhet të bëhet mbi emocionet apo konfliktet e së kaluarës, por mbi interesin strategjik të opozitës së djathtë përballë, siç e quajti ai, “modelit të majtë radikal, populist dhe neokomunist të LVV-së”.
Ai theksoi se çdo votë opozitare e shpërndarë jashtë koordinimit mes PDK-së dhe Nismës rrezikon të përkthehet indirekt në mandat për Albin Kurtin dhe pushtetin aktual.
Berisha solli edhe shembuj historikë, duke përmendur rikthimin e Mojsi Golemit nga Gjergj Kastrioti në funksion të bashkimit kombëtar, për të argumentuar se në politikë pjekuria matet me aftësinë për të bashkuar energjitë dhe jo për të kultivuar inate.
Ai vlerësoi se Fatmir Limaj vazhdon të ketë peshë simbolike dhe elektorale tek një pjesë e elektoratit tradicional të PDK-së dhe të luftës, ndërsa injorimi i këtij fakti, sipas tij, do të ishte gabim strategjik.
Në fund, Berisha tha se zgjedhjet fitohen me matematikë politike, mobilizim dhe bashkim të votës opozitare, duke shtuar se historia politike ka treguar se partitë humbin pikërisht atëherë kur nuk arrijnë të bashkohen rreth interesit më të madh.