Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Deputeti evropian: Evropa të mësojë nga gabimet me Rusinë në qasjen ndaj Kinës

Deputeti evropian: Evropa të mësojë nga gabimet me Rusinë në qasjen ndaj Kinës

Evropa është ende “naive” në marrëdhëniet e saj me Kinën dhe duhet të mësojë nga dështimet e saj në politikat me Rusinë, nëse dëshiron të ketë lidhje të suksesshme me Pekinin në të ardhmen, ka paralajmëruar Reinhard Buetikofer, deputet i Parlamentit Evropian.

“Ekziston aq shumë naivitet sa i përket Kinës në kryeqytetet evropiane, saqë edhe nëse e zvogëlojmë atë për një kohë, nuk e prekim zeron”, ka thënë Buetikofer në një intervistë për REL në Pragë, ku ka marrë pjesë në samitin Aleanca Ndërparlamentare për Kinën.

Ky samit mbledh politikanë që janë të fokusuar në fuqinë aziatike.

Buetikofer udhëheq delegacionin e Parlamentit Evropian për Kinën dhe është bërë një prej diplomatëve më të zëshëm të BE-së kur është fjala për çështjet rreth Pekinit, duke folur shpesh kundër politikave kineze ndaj Tajvanit, dhe për mbështetjen e Kinës ndaj Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, ani pse autoritetet kineze pretendojnë se janë neutrale në këtë temë.

Politikani gjerman, Buetikofer e ka bashkë-udhëhequr Partinë e Gjelbër gjermane, para se të zhvendosej në Bruksel.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se BE-ja duhet të mësojë nga varësia që e ka pasur në energjinë ruse, për ta menaxhuar varësinë ndaj tregjeve kineze dhe ndikimin e saj në industritë strategjike.

“Mendoj se është e drejtë të them se përvoja me Rusinë na ka mësuar se çfarë duhet të jetë e aplikueshme në marrëdhëniet me Kinën”, ka thënë Buetikofer.

“Kina është duke e mbështetur Rusinë dhe nuk dëshiron që Rusia të humbë në asnjë mënyrë. Unë nuk e shoh aspak afër neutrales. Ajo është duke tentuar të përfitojë nga lufta në Ukrainë”.

Disa persona në Hong Kong duke e shikuar transmetimin teksa forcat ushtarake ruse nisen drejt Ukrainës, 24 shkurt 2022.

Disa persona në Hong Kong duke e shikuar transmetimin teksa forcat ushtarake ruse nisen drejt Ukrainës, 24 shkurt 2022.

Pyetja se si të menaxhohet marrëdhënia afatgjatë me Kinën e ka marrë një dimension krejt tjetër brenda BE-së, prej nisjes së luftës në Ukrainë dhe nisjes së debatit në Bruksel për marrëveshjet që mund të arrihen në të ardhmen me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Ndonëse Pekini nuk i ka ofruar zyrtarisht armë vdekjeprurëse Moskës për luftën në Ukrainë, Kina e ka vazhduar bashkëpunimin ekonomik me Rusinë.

Të dhënat e doganave të Kinës tregojnë se ky vend ka nisur në Rusi mallra që mund t’i përdorë ushtria, dhe që Moskës i janë dërguar armë të vogla nga disa kompani private kineze.

Mirëpo në skenën botërore, Pekini e ka paraqitur veten si vend që do paqe.

Në shkurt, Kina e ka prezantuar një plan 12-pikësh për bisedime të paqes në mes të Moskës dhe Kievit, i cili është kritikuar nga Perëndimi si tentim të ngrirje të konfliktit në të mirë të Moskës.

Në gusht, Kina ka marrë pjesë edhe në bisedime diplomatike në Arabinë Saudite, të cilat e kanë pasur në qendër luftën në Ukrainë.

“Kinezët nuk mund të përjashtohen dhe ata duan të jenë në tavolinë”, ka thënë Buetikofer.

“Mirëpo, ata janë aty për interesat e tyre dhe për ta negociuar një zgjidhje nga e cila përfiton [presidenti rus, Vladimir] Putin”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi me homologun e tij kinez, Xi Jinping. Fotografi nga arkivi.

Për politikanët e Evropës, pyetja se si të menaxhohet me Pekinin është e çuditshme.

Ata janë në presion për t’i mbrojtur ekonomitë e tyre nga ekspozimi para Partisë Komuniste të Kinës dhe për t’i marrë seriozisht rreziqet e sigurisë, që dalin nga aleanca e liderit kinez Xi Jinping me Putinin.

Në të njëjtën kohë, bizneset e BE-së varen nga Kina për eksporte të vlerë të 230 miliardë eurove në vit.

Gjermania është duke treguar kujdes në prishje të interesave me Kinën – partneren më të madhe tregtare në gjashtë vjetët e fundit – dhe po e trajton këtë çështje me shumë rëndësi, pas shkatërrimit të bizneseve me Rusinë, për shkak të vendosjes së sanksioneve në shkurt të vitit 2022.

Franca – tjetër shtyllë e bllokut evropian – ka qenë skeptike ndaj qasjes amerikane, e cila e ka në qendër rritjen e presionit ndaj Pekinit dhe kufizimin e ekspozimit ekonomik të Perëndimit ndaj Kinës.

“Natyrisht, varësia ndaj Kinës nuk fokusohet në vetëm një aspekt, siç ka qenë puna me energjinë e Rusisë”, ka thënë Buetikofer.

“Është më e shpërndarë dhe është temë që adresohet më vështirë”.

Pavarësisht mungesës së kohezionit në bllokun me 27 anëtarë, Brukseli ka qenë shumë aktiv në krijimin e politikave të reja për marrëdhëniet me Kinën.

BE-ja e ka çuar përpara një strategji të re për rajonin e Indo-Paqësorit, e cila e sheh Pekinin si rival afatgjatë dhe në mars, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për rivlerësim të marrëdhënieve të bllokut me Kinën, duke paralajmëruar se “nuk mund t’i mbyllim sytë ndaj faktit se Kina nuk është vetëm partnere ekonomike, por edhe rivale sistematike”.

Në qershor dhe korrik janë publikuar plani i veprimit të BE-së për siguri ekonomike dhe strategjia e re e Qeverisë gjermane për Kinën, dhe në të dyja është përmendur qasja më e ashpër ndaj Pekinit.

Brukseli ka arritur pajtueshmëri edhe me qasjen amerikane ndaj Kinës, mirëpo e ka zbutur tonin, duke bërë thirrje për një praktikë që e kufizon varësinë ekonomike nga Kina në disa fusha strategjike.

Buetikofer ka thënë se ky momentum ka qenë rezultat i veprimeve luftarake të vetë Pekinit ndaj BE-së.

Në veçanti, ai e ka përmendur një episod të vitit 2021, kur Pekini e ka vënë në listë të zezë një grup ligjvënësish evropianë (Buetikofer në mesin e tyre), ekspertësh dhe diplomatësh, për shkak të vendimit të BE-së për t’i sanksionuar katër zyrtarë kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut në Ksinjiang.

Patrullat kineze në rrugët e qytetit Urumqi të provincës Ksinjiang. Fotografi nga arkivi.

Ky incident ka rezultuar me ngrirje të traktatit për investime mes BE-së dhe Kinës.

Kina ka tentuar ta ringjallë paktin, pasi është raportuar se diplomatët e saj kanë bërë ofertë që Kina t’i heqë sanksionet në këmbim të ratifikimit të planit nga Brukseli.

Buetikofer ka thënë se tentime të tilla janë të dështuara, pasi traktati ka vdekur.

“Nuk ka iluzione në Bruksel se Kina është vetëm partnere. Në periudhë të shkurtër kohore, Kina ka arritur të nxisë dyshime të mëdha”.

Buetikofer ka qenë në krye të këtyre ndryshimeve, mirëpo ka përmendur se “askush kurrë nuk e lëviz gjilpërën vetë”, duke përmendur mbështetjen që gëzon për linjën e re ndaj Kinës nga shumë parti politike dhe diplomatë të shumtë në Bruksel.

Buetikofer nuk planifikon të garojë sërish për postin e deputetit në zgjedhjet e vitit 2024.

Janka Oertel, drejtorja për Azinë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Këshillit Evropian, dhe eksperte e mirë e Kinës, ka thënë në qershor se do të aplikojë për ulësen që tani e mban Buetikofer dhe ai ka thënë se do ta mbështesë.

“Ne kemi arritur të krijojmë një botëkuptim për politikën ndaj Kinës”, ka thënë Buetikofer.

“Jam plotësisht i bindur se kjo nuk është fasadë dhe do të vazhdojë të zbatohet”.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, gjatë një konference për media në Berlin, 9 maj 2023.

Diçka e tillë do të testohet më 2024.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe në Tajvan mund të ndikojnë në politika në të dyja anët e Atlantikut, ndërsa zgjedhjet për Parlamentin Evropian do ta vërtetojnë nëse qasja aktuale e Brukselit do të jetë e përkohshme apo e përhershme.

Për politikanin gjerman, drejtimi i së ardhmes është i qartë.

“Nuk do të kthehemi më mbrapa në kohën e iluzioneve”, ka thënë ai.

/TV Arbëria

Powered by WordPress