Instituti i Kosovës për Drejtësi ka renditur disa nga vendimet urgjente që sipas tyre duhet t’i adresojë legjislatura e 10’të e Kuvendit të Kosovës. IKD thotë se këto vendime janë vendimtare për funksionimin normal të rendit kushtetues dhe stabilitetin e institucioneve.
Disa prej këtyre vendimeve janë buxheti dhe miratim i Planit të Rritjes.
Po ashtu, IKD përmend edhe financimin e RTK’së dhe mbështetjen e komunave.
IKD thotë se vendim urgjent është edhe zbatimi i aktgjykimeve të Kushtetueses.
“Një prioritet po aq i rëndësishëm mbetet zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë aktgjykimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë. Moszbatimi i këtyre vendimeve cenon drejtpërdrejt parimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues.”
Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë , duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik.