Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Deputetët sytë kah zgjedhjet, lënë anash punën në Kuvend

Deputetët sytë kah zgjedhjet, lënë anash punën në Kuvend

Në Kuvendin e Kosovës ka rënë intensiteti i punës nga deputetët, deklarojnë monitorues të Kuvendit. Një deputet sipas tyre, buxhetit të Kosovës i kushton mbi 2 mijë euro, e që me mospunën në këtë rast kjo është veç dëmtim i buxhetit.

Deputetët e partive parlamentare, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita veçse kanë nisur para fushatën zgjedhore. Rrjedhimisht, aktivitet e tyre elektorale, kanë ulur intensitetin e punës në Kuvendin e Kosovës.

 

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, deklaron se buxhetit të Kosovës një deputet i kushton rreth 2300 euro. E që në këtë periudhë kemi më shumë përballje politike sesa punë profesionale e përmbajtjesore të deputetëve.

 

“Siç e dini kemi shku në zgjedhje të rregullta. Kuvendi deri në mars 2025 ka fuqi dhe mandat ti ushtroj funksionet e veta. Tashmë kemi parë se si kuvendi edhe deputetët në vecanti e kanë ulur volumin e punëve të mira në drejtim të arritjes së objektivave të shumicës parlamentare përmes programit qeverisës edhe të deputetëve opozitar përmes objektivave të veta parlamentare. Një deputet tashmë kuvendit do ti kushtoj minimumi 2300 euro në muaj me mos punën që ata do duhej ta bënin në volumin më të madh të mundshem. Do të ulet puna, do të ketë më shumë përballje politike sesa profesionale dhe përmbajtësore, pastaj qytetarët nuk përfitojnë nga ky aktivizëm”, tha Jakaj.

 

Viona Bunjaku nga Lëvizja “Fol” thotë se mungesa e angazhimi të deputetëve dëmton buxhetin e Kosovës, pasi ata paguhen pavarësisht efikasitetit në punë. Sipas saj, shumë projektligje kanë mbetur pa procedim për shkak të fokusimit të deputetëve në aktivitetet e para-fushatë zgjedhore.

 

“Me fillimin e sesionit vjeshtor në Kuvend, ne jemi duke pa që seancat e Kuvendit janë duke dështuar, për shkak të mungesës se kuorumit, e gjërave të tjera që janë duke ndodhur në Kuvend. Pavarësisht kësaj, buxheti i shtetit është duke u dëmtuar, pra paraja publike po dëmtohet pasi asnjë punë nuk po bëhet në favor të shoqërisë në vendin tonë…është shumë e rëndësishme që deputetët t’i kushtojnë rëndësi punës së tyre, pasi zgjedhjet janë më 9 shkurt e që është shumë vonë për të filluar në fushatë të tillë”, tha Bunjaku.

Monitorues të Kuvendit vlerësojnë se deputetët e Kosovës kanë nisur shumë herët fushatën zgjedhore.

Powered by WordPress