Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Deputetët më të paguar – rekordet e një Kuvendi ”dembel”

Deputetët më të paguar – rekordet e një Kuvendi ”dembel”

Në krye të listës së përfituesve qëndron Dimal Basha, me 3,067.95 euro për shtatorin, i ndjekur nga Kujtim Shala (2,789.86 €), Vlora Çitaku (2,779.62 €) dhe Emilija Redžepi (2,656.80 €).

Edhe pse Kuvendi nuk ka zhvilluar seanca, paga bazë prej 1,914 euro për çdo deputet ka vazhduar të derdhet pa pengesë, e bashkë me të edhe shtesat për “përvojë pune”, të cilat shkojnë deri në 300 euro në muaj.

Kështu, një deputet që nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë gjatë muajit gusht apo shtator, ka marrë pagë të plotë sikur të kishte kaluar orë të tëra në debat parlamentar.

Kuvendi i bllokuar, buxheti në lëvizje.

Ndërkohë që vendi ka qenë në pritje të formimit të institucioneve të reja, asnjë komision nuk ka funksionuar normalisht, asnjë ligj nuk është miratuar, e asnjë mbikëqyrje qeveritare nuk është bërë nga Kuvendi.

Por për sistemin e pagesave, asgjë s’është bllokuar.

Buxheti i shtetit ka vazhduar të derdhë rregullisht pagat për një institucion që ka qenë simbolikisht i mbyllur, por financiarisht më aktiv se kurrë.

Nëse llogaritet mesatarja mujore, del që çdo muaj Kuvendi ka kushtuar mbi 192 mijë euro vetëm për paga, pa llogaritur mëditjet, shpenzimet e udhëtimeve apo kompensimet shtesë për komisione që nuk janë mbledhur asnjëherë.

 

Në një kohë kur qytetarët ballafaqohen me rritjen e çmimeve, me vonesa pagash në sektorin publik dhe me mungesë të investimeve, deputetët kanë gëzuar stabilitet financiar luksoz, edhe pse produktiviteti institucional ka qenë zero./frontonline