Analisti dhe opinionisti Basri Beka ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Mërgim Lushtakut, duke e cilësuar gabim të rëndë publik dhe institucional veprimin e tij. Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, ka përdorur një platformë të njohur për retorikë ideologjike kundër interesit shtetëror të Kosovës, duke hedhur akuza pa prova ndaj qytetarëve.
Sipas Bekës, Lushtaku përçan dhe stigmatizon, duke etiketuar qytetarë si “lidhje me Serbinë” ose “projekt dyshimt” – pa asnjë bazë faktike. Ai thekson se shumica e atyre që u përmendën janë qytetarë të Kosovës, përfshirë ish-luftëtarë të UÇK-së, invalidë lufte, aktivistë dhe intelektualë, të cilët kanë të drejtë kushtetuese për të organizuar aktivitetet e tyre pa u gjykuar për bindjet e tyre.
“Kur thua ‘ndoshta s’kanë qenë kurrë muslimanë’, nuk po mbron askënd – po përjashton. Po vendos standard fetar për legjitimitet qytetar. Kjo është e papranueshme për një zyrtar publik,” ka deklaruar Beka.
Ai shton se duke lidhur çdo aktivitet të qytetarëve me Serbinë, Lushtaku banalizon rreziqe reale për qëllime retorike, duke krijuar një diskurs të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm.
“Realiteti është i thjeshtë: Kosova nuk është shtet fetar. Është republikë demokratike dhe laik. Nëse nuk e kupton këtë, ke problem me funksionin që mban. Nëse e kupton dhe prapë flet kështu, atëherë ke problem më të madh – sepse është zgjedhje e vetëdijshme për të ndezur përçarje,” përfundon Beka.
Reagimi i tij vjen si paralajmërim për politikanët që të respektojnë Kushtetutën dhe të mos përdorin pushtetin për të krijuar ndasi dhe stigmatizime në shoqëri.