Siç merr vesh Sinjali, hetimi për të zbardhur këtë rast ka nisur si rezultat i denoncimit nga ana e viktimës (emër i njohur për redaksinë), i cili e ka raportuar deputetin Muja dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima po pretendon se Armend Muja e ka ndalur në rrugë të mërkurën pasdite, në rrugën “Ndue Përleshi” dhe i është drejtuar me fjalë kërcënuese.

Sipas dëshmisë së tij, të dhënë para hetuesve policorë, Muja i ka thënë viktimës “A je ti… (emri dhe mbiemri që s’do t’i publikohet për momentin), o shikofc i bradashit, do ta shohësh kush jam unë”, thonë tutje të njëjtat burime.

Viktima ka deklaruar se është ndier i kërcënuar nga deputeti Muja, prandaj ka vendosur që ta njoftojë Policinë e Kosovës.

Pasi janë marrë informacionet e para për rastin, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Kanosje” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme.