Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Dënohet personi që kërcënoi Prokurorët të cilët ia çuan ftesën për paraqitje si dëshmitar kryeministrit Kurti

Dënohet personi që kërcënoi Prokurorët të cilët ia çuan ftesën për paraqitje si dëshmitar kryeministrit Kurti

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 2,000 euro gjobë të pandehurin Merxhan Rexhepi, i akuzuar për kanosje ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”.

Ky ishte komenti që Merxhan Rexhepi kishte postuar për dy prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, më 12.12.2024.

I pandehuri obligohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Nëse i pandehuri nuk e paguan gjobën brenda afatit, ajo i zëvendësohet me burg, 20 euro një ditë burg.

Gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se të akuzuarit Rexhepi nuk i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti lihet në liri.

I pranishëm në gjykatore nuk ishte i akuzuari Merxhan Rexhepi.

Po ashtu të pranishëm nuk ishin as të dëmtuarit, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Sabit Sadikaj në Gjykatën e Prishtinës.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës të datës 23.01.2025, Merxhan Rexhepi po akuzohet se më 12.12.2024, në kohë të pacaktuar, në Prishtinë, ka kanosur seriozisht personat zyrtarë, me fjalët se do t’i privojë nga jeta dhe atë lidhur me punën e pozitën e tyre si prokurorë të shtetit.

Sipas aktakuzës, në ditën kritike në mediumin “Gjakovarë” është publikuar një shkrim “Prokurori i PDK-së, Valdet Gashi është i njëjti Prokuror që kishte pamundësuar Albin Kurtin me qenë bartës i listës në Zgjedhjet 2021. Sot i njëjti ka nisur një luftë të re ndaj demokracisë në Kosovë. Ky është një sulm frontal i kastës së vjetër… L Haliti.” – ku këtij shkrimi i është bashkëngjitur një foto e prokurorit Valdet Gashi me mbishkrimin në foto: “Prokurori i PDK-së Valdet Gashi”, e shkrimi në fjalë ka të bëjë me ftesën dërguar kryeministrit Albin Kurti për intervistë nga prokurorët e PSRK-së, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se lidhur me këtë postim, i pandehuri Merxhan Rexhepi komenton dhe poston mbishkrimin: “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”, dhe se këto fjalë te personat e kanosur, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, shkaktojnë shqetësim dhe ankth.

Me këto veprime i pandehuri Merxhan Rexhepi po akuzohet se ka kryer veprën penale – kanosja./Kallxo.com/