Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e kolegut të punës

Dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e kolegut të punës

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Albion Strelli dhe Berat Strelli, lidhur me akuzat për vrasjen e A.S. I akuzuari Albion u dënua me dënim unik prej 24 vitesh burgim, kurse i akuzuari Berat, u dënua me 18 muaj burgim.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Albion Strelli pas rikualifikimit të veprës penale “Vrasje e rëndë” në veprën penale “Vrasje”, u dënua me 23 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, u dënua me 1 vit e gjysmë burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 24 vite burgim.

Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit.

Kurse, i akuzuari Berat Strelli, pas ricilësimit të veprës penale nga “Shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, në “Moslajmërim i veprës penale apo kryerësve të tyre”, u dënua me 18 muaj burgim.

Ndryshe, në seanën e 3 prillit 2023, në fjalën përfundimtare, prokurorja Fitore Sadikaj ka bërë ndryshimin e një pjese në dispozitivin e parë dhe të dytë të aktakuzës, në këtë rast.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Albion Strelli thuhet se më 6 maj 2020, në ora 07:40, në punishten e qendrës së re tregtare, afër rrethit të QMI-së, Komuna e Graçanicës, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të tij dhe tani të ndjerit A.S, për shkak të transportit me veturën kombi, i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin duke punuar së bashku, të pandehurit Albion dhe Berat Strelli shkuan në shtëpinë e tyre, ku e kanë marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe janë kthyer përsëri në vendpunishte me veturën e tyre private.

Sipas prokurorisë, pas fjalosjes në mes të të akuzuarit Albion dhe tani të ndjerit A., Albioni me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë tri herë me armë në drejtim të tani të ndjerit A., duke e vënë në rrezik edhe jetën e shumë personave tjerë, me ç’rast tani i ndjeri A.S është qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika nënparagrafi 1.5 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Albion Strelli, nga data e papërcaktuar e deri më 6 maj 2020, pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e llojit “Zoraki M2906B”, duke shkelur ligjin.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Berat Strelli se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, me dashje ka shtyrë të pandehurin Albion Strelli – vëllanë e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes, në atë mënyrë që pas fjalosjes te kombi kanë shkuar së bashku me të pandehurin Albion në shtëpi, e kanë marrë armën e llojit “Zoraki” dhe me veturën e tyre kanë shkuar në vendin e punës dhe pasi që tani i ndjeri A. e ka thirrë në emër Albion, e në ato momente Berati i ka thënë Albionit ‘qëlloje-shkrepja’, më pas Albioni e ka qëlluar tri herë me plumba në fytyrë dhe kokë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Berat Strelli se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 32 të KPRK-së.

/TV Arbëria

Themes by WordPress