Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Dënohet me 2 vite burgim zyrtari korrektues në Dubravë për akuzën se përfitoi 1 mijë e 880 euro nga të burgosurit

Dënohet me 2 vite burgim zyrtari korrektues në Dubravë për akuzën se përfitoi 1 mijë e 880 euro nga të burgosurit

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me dy vite burgim efektiv të akuzuarin Shefqet Gashaj, për akuzën se në cilësinë e zyrtarit të Qendrës Korrektuese në Dubravë, keqpërdori detyrën duke përfituar 1 mijë e 880 euro nga të burgosurit dhe iu lejoi atyre përdorimin e telefonit në çdo kohë.

Shpalljen e aktgjykimit e bëri të mërkurën gjyqtari i rastit, Leon Përlaska, pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit Gashaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të akuzuarit Gashaj, krahas dënimit me 2 vite burgim, u shqiptua dënimi plotësues- ndalimin e ushtrimit të profesionit në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Fillimisht, në seancën e shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ersan Qavolli, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë në tërësi për veprën penale që i vihej barrë.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, u pajtua edhe prokurori Qavolli, pasi që ka mbështetje në provat e elaboruara në aktakuzë dhe i propozoi gjykatës që si të tillë ta aprovojë.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gashaj, avokati Gëzim Kollçaku, tha se pas konsultimit të mjaftueshëm me të mbrojturin e tij, konsideron se është pranim i vullnetshëm dhe kërkoi nga gjykata që ta aprovojë këtë pranim fajësie.

Gjyqtari Përlaska, më pas aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Gashaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 nëntor 2024, Shefqet Gashaj akuzohej se nga muaji nëntor 2022, e në vazhdimësi të muajit janar 2023, në fshatin Dubravë, Komuna e Istogut, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete dhe për personat e tjerë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim me kontratën e punës dhe rregulloren e brendshme për tretmanet e të dënuarve të burgosur.

Sipas aktakuzës, si mbikëqyrës i paviojnit 3 në Qendrën Korrektuese të Dubravës, nga i burgosuri F.M, kërkon shumën prej 300 euro, me arsyetimin se e ka bashkëshorten e sëmurë, ashtu që i burgosuri ia dërgon të hollat përmes familjarëve të tij me RIA, ku i akuzuari i tejkalon kompetencat e tij dhe të burgosurit F.M., i mundëson të bëjë thirrje telefonike nga kabinat e pavijonit 3, në çdo kohë dhe atë 240 thirrje telefonike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti nga i burgosuri tjetër G.S., kërkon shumën prej 500 euro, me arsyetimin se ka nevojë për operim të gishtit, ashtu që pranon të holla nga personi E.S., në një restaurant, ku i akuzuari ia mundëson të bëjë thirrje telefonike të burgosurit në çdo kohë dhe atë 301 thirrje.

Me të njëjtat arsyetime, aktakuza thotë se kishte vazhduar edhe për të burgosurin N.B., duke i kërkuar shumën prej 300 euro, e më pas ia lejon 115 thirrje telefonike.

Sipas aktakzuës, i akuzuari Gashaj, më 14 janar 2023, nga i burgosuri G.S., kërkon një veturë në shfrytëzim, dhe atë Golf 7 nga vëllai i të burgosurit, të cilën e shfrytëzon nga 14 janari deri më 26 janar 2023, dhe përfiton 480 euro, duke i mundësuar të burgosurit thirrje telefonike në çdo kohë.

Në këtë mënyrë, i akuzuari thuhet se në cilësinë e personit zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tij përfiton shumën e përgjithshme prej 1 mijë e 880 euro, ndërsa të lartcekurve u mundëson përdorimin e telefonit pa orar dhe në çdo kohë.

Andaj, ngarkohej se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1, lidhur me nenin 77, të Kodit Penal.