Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të akuzuarin Kushtrim Hoxha me 1 vit e 6 muaj burgim për moslajmërim të përgatitjes së një sulmi terrorist ndaj Kombëtares së Izraelit.
Hoxha akuzohej se edhe pse ka qenë në dijeni për veprimet përgatitore të grupit terrorist për akt terrorist ndaj lojëtarëve dhe tifozëve të Kombëtares së Izraelit në vitin 2016, nuk i kishte lajmëruar organet kompetente, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur të martën nga gjyqtari Rrahman Beqiri, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Gjyqtari Beqiri ka njoftuar se të akuzuarit do t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
“Të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak nga sot, datë 12.11.2024. Tani e tutje, mbrohet në liri”, ka deklaruar Beqiri.
Gjithashtu, të akuzuarit i janë sekuestruar sendet e përmendura në aktakuzë, përjashtimisht disa nga to që do t’i kthehen, si literatura, USB-ja dhe laptopi, siç është propozuar nga mbrojtja.
Aktgjykimi është shpallur në mungesë të të akuzuarit Hoxha dhe të mbrojtësit të tij, Asdren Bytyqi.
I akuzuari është obliguar gjithashtu të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 100 eurosh dhe 100 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.
Palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore të Prishtinës, brenda një afati prej 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.