Dënimi i butë ndaj Hysri Selimit zbulon misionin e rrezikshëm të BIA-s serbe për islamizim dhe radikalizim sistematik të Kosovës
Organizata Shqipëria shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën e saj për vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi Hysri Selimin me vetëm 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit në shërbim të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Selimi, i dënuar më parë për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, ka vepruar si agjent i paguar i BIA-s për një periudhë prej më shumë se 15 vjetësh. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai u rekrutua nga BIA që në vitin 2009, duke marrë mbështetje financiare deri në 700 euro në muaj, telefona të mençur dhe premtime për blerje shtëpie. Në këmbim, ai ka furnizuar shërbimin serb me informacione sensitive lidhur me “mesxhidet”, rrjetin vehabist, proceset e radikalizimit në Kosovë dhe veprimtarinë e shtetasve shqiptarë në Siri. Në vitin 2015, ai udhëtoi në Siri me mision të drejtuar nga BIA, ku u bashkua me ISIS-in dhe raportoi për organizimin e luftëtarëve shqiptarë.
Ky rast nxjerr në pah strategjinë sistematike të BIA-s serbe: islamizim dhe radikalizim i shoqërisë kosovare përmes nxitjes së rrymave ekstreme fetare. Qëllimi strategjik është i qartë – të imponojë një interpretim radikal të fesë që sjell përçarje shoqërore, shkombëtarizim, destabilizim dhe, në planin afatgjatë, shkëputjen e Kosovës nga aleanca e saj euroatlantike me NATO-n dhe partnerët perëndimorë.
Një aspekt veçanërisht shqetësues mbetet strategjia e mbrojtjes. Gjatë fjalës mbrojtëse, i akuzuari dhe avokati i tij Ali Beka hodhën aludime për “bashkëpunim të dyfishtë” me AKI-në, duke tentuar të relativizojnë përgjegjësinë penale dhe të komprometojnë institucionet e sigurisë kombëtare të Kosovës. Organizata Shqipëria konsideron se një qasje e tillë kërkon hetim të menjëhershëm.
Në këtë kontekst, Organizata Shqipëria i bën thirrje institucioneve përkatëse:
• Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë Speciale që të kërkojnë dënim maksimal për spiunazh, tradhti ndaj atdheut dhe dëmtim të sigurisë kombëtare.
• Nisje të hetimit penal ndaj strategjisë së mbrojtjes dhe burimeve të insinuatave kundër AKI-së.
• Hetim të plotë dhe transparent për rrjetin e bashkëpunëtorëve të BIA-s në operacionet e islamizimit dhe radikalizimit.
• Forcim të kuadrit ligjor kundër radikalizmit fetar të huaj, spiunazhit dhe infiltrimeve armiqësore.
• Transparencë të plotë institucionale për të mbrojtur orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Ky rast përfaqëson një alarm serioz kombëtar. Lufta e vendosur kundër islamizimit dhe radikalizimit të sponsorizuar nga aktorë të huaj është kusht i domosdoshëm për ruajtjen e identitetit kombëtar, sigurisë shtetërore dhe së ardhmes europiane të Kosovës.
Organizata Shqipëria
Mbrojtja e sovranitetit, identitetit dhe sigurisë kombëtare mbi të gjitha.