Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

Dëmtohet ambasada e Maqedonisë së Veriut nga sulmet ruse në Kiev

Sulmet me raketa që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e së premtes, kanë dëmtuar edhe ndërtesën ku ndodhet ambasada e Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e këtij vendi njoftoi se personeli diplomatik i pranishëm në ambasadë, nuk është lënduar. Në reagimin e saj, ministria dënoi ashpër sulmet me raketa të kryera nga ushtria ruse.

“Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, njoftuan të premten nga ministria.

Sipas raportimeve, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë ambasadës maqedonase, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës.

Ndërkohë, autoritetet lokale në Ukrainë njoftojnë se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë valës intensive nga bombardimet ruse që goditën Kievin bashkë me rajonin jugor të Hersonit.

Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.

Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, Rusia hodhi tetë raketa – përfshirë raketa hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23 – vetëm në Kiev.

Bombardimet e së premtes në Ukrainë pasuan deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili të enjten propozoi “një duel të armëve të shekullit 21”, mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për të treguar fuqinë e raketës së re hipersonike balistike të Rusisë, të quajtur Oreshnik, për të cilën tha se nuk mund të shkatërrohet nga mbrojtjet ajrore të Perëndimit.

Zyrtarët perëndimorë i hedhin poshtë këto pretendime.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Themes by WordPress