![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/pdk-2025.gif)
Në 200 seancat e mbajtura gjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, për katër vjet, gjithsej janë bërë mbi 5 mijë mungesa, nga deputetët e Kuvendit, shkruan TV Arbëria.
Kështu është bërë e ditur nga raporti i Institutit Demokratik të Kosovës, mekanizëm ky i cili merret me mbikëqyrjen e punës së Kuvendit të Kosovës.
Sipas raportit me mungesa e para është Lista Serbe, me 1611 apo 32%.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/ldk-2025-1.gif)
Ajo që bie në sy më së shumti nga ky raport është se e dyta sa u përket këtyre mungesave të deputetëve, vijon partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Sipas KDI-së deputetët e kësaj partie kanë bërë 1361 mungesa.
E treta në listën e mungesave renditet Partia Demokratike e Kosovës, me 795 mungesa, duke vazhduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës me 729 mungesa.
Të dhënat e plota nga KDI-ja, “Përgjatë kësaj Legjislature, deputetët e Kuvendit kanë bërë mbi 5 mijë mungesa (789 gjatë vitit 2021, 1490 në vitin 2022, 1608 gjatë vitit 2023 dhe 1155 mungesa në vitin 2024). Kështu, në 200 seanca gjatë kësaj Legjislature, për të cilat Kuvendi mbajti evidencë, numri i mungesave ishte 21%. Në bazë të grupeve parlamentare, përqindja më e lartë e mungesave është e Listës Serbe, gjithsej 1611 apo 32%, pasur nga LVV me 27% (1361 mungesa), PDK me 16% (795 mungesa), LDK me 14% (729 mungesa), Grupi Multietnik 5% (259 mungesa), AAK 5% (256 mungesa) dhe Deputetët e pavarur 1% (37 mungesa)”.
Viti 2023 është viti me më së shumti mungesa të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, me 1608 mungesa pastaj vijon viti 2022, me 1490 mungesa.
Gjithashtu sipas këtij raporti, kryesuesi Glauk Konjufca, përdori më së shpeshti fjalin për mungesën e kuorumit, ku në raport thuhet se si pasojë e kësaj është ndërprerë thuajse çdo seancë e Kuvendit. /TV Arbëria
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/nisma-2025.gif)