Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > DEMANTOHET KURTI – Kryeministri tha se janë kthyer 171 mjekë vitin e kaluar, Oda e Mjekëve thotë se 40 u kthyen për 8 vjet

DEMANTOHET KURTI – Kryeministri tha se janë kthyer 171 mjekë vitin e kaluar, Oda e Mjekëve thotë se 40 u kthyen për 8 vjet

Oda e Mjekëve të Kosovës e ka demantuar Kryeministrin Albin Kurti, i cili para disa ditësh tha se vetëm gjatë vitit të kaluar janë kthyer 171 mjekë në Kosovë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Oda e Mjekëve kanë thënë se sipas të dhënave që kanë, gjatë periudhës 2018-2026, rreth 40 mjekë janë pajisur me Certifikatën e së Kaluarës Etike dhe Profesionale, duke deklaruar se ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë Kosovës, ndërsa pas disa vitesh janë kthyer në vend.

Madje, kanë sqaruar se shumica që janë kthyer, punojnë në sektor privat.

“Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, gjatë periudhës 2018–2026, rreth 40 mjekë janë pajisur me Certifikatën e së Kaluarës Etike dhe Profesionale, duke deklaruar se ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë Kosovës, ndërsa pas disa vitesh janë kthyer në vend, janë ri-anëtarësuar dhe rilicencuar në Odën e Mjekëve të Kosovës. Këta mjekë janë të identifikuar në regjistrat e Odës me emër dhe mbiemër. Vlen të theksohet se shumica prej tyre aktualisht janë të punësuar në sektorin privat”, thanë nga Oda e Mjekëve.

“Sa i përket pjesës tjetër të mjekëve që, sipas deklarimeve, janë kthyer në Kosovë, për informata dhe sqarime më të hollësishme ju rekomandojmë t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë, pasi mund të bëhet fjalë edhe për mjekë me shtetësi të huaj, të cilët licencohen nga Ministria e Shëndetësisë’’, shtuan ata.

Pra, për 8 vjet janë kthyer rreth 40, ndërsa Kryeministri thoshte se 171 vetëm vitin e kaluar.

Nga kjo Odë kanë treguar edhe disa të dhëna tjera. 521 mjekë janë të papunë sipas të dhënave që ata posedojnë.

Ata kanë treguar edhe për numrin e mjekëve që janë larguar nga Kosova për të ushtruar profesionin jashtë vendit, që është rreth 1200 për 8 vjet.

Si indikator për përcjelljen e trendit të largimit të mjekëve nga vendi, Oda ka thënë se përdor numrin e Certifikatave të së Kaluarës Etike dhe Profesionale të lëshuara. Kjo certifikatë shërben si dokument bazë për anëtarët e OMK-së që synojnë të punësohen dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë vendit.

“Sa i përket numrit të mjekëve që kanë kërkuar dhe janë pajisur me këtë certifikatë, ju informojmë se, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, numri i certifikatave të lëshuara, gjatë periudhës 2018-2026 është gjithsej 1181”.

“Ndërkaq, bazuar në vetëdeklarimet e anëtarëve të Odës ndër vite, rezulton se rreth 600 mjekë janë të punësuar në Gjermani. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, aktualisht janë gjithsej 521 mjekë të papunë’’, theksuan ata.