Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Demaku, ka deklaruar se politikat e ndjekura nga Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë të dëmshme për interesat e Kosovës dhe nuk kanë kontribuar në zhvillimin e vendit dhe proceset integruese.
I ftuar në emisionin “Pult”, Demaku tha se është i bindur që qasja qeverisëse e Vetëvendosjes ka qenë jo e shëndoshë, duke theksuar se realiteti në terren e dëshmon qartë këtë. Sipas tij, Kosova ka shënuar ngecje të jashtëzakonshme në aspektin e integrimeve ndërkombëtare, ndërsa zhvillimi ekonomik ka qenë i bllokuar pothuajse tërësisht.
Ai shtoi se, në raport me vendet fqinje, Kosova ka mbetur dukshëm prapa, si në rritjen ekonomike ashtu edhe në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Demaku theksoi gjithashtu se ekziston një dallim ekstrem mes rritjes së çmimeve dhe pagave në vend, gjë që, sipas tij, ka rënduar ndjeshëm jetën e qytetarëve.
Sipas Demakut, këto zhvillime tregojnë qartë nevojën për një ndryshim të qasjes politike dhe ekonomike, në mënyrë që Kosova të rikthehet në rrugën e zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike.