Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Delegacion presidencial në Washington takohet me Kasanof, flasin për Dialogun Strategjik me SHBA-në dhe për dialogun me Serbinë

Delegacion presidencial në Washington takohet me Kasanof, flasin për Dialogun Strategjik me SHBA-në dhe për dialogun me Serbinë

Shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar dje në Washington DC me zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof.

Presidenca tha se në këtë takim është folur për Dialogun Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, për të cilin pritet që të finalizohet së shpejti.

“Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë te Dialogu Strategjik Kosovë-SHBA i cili u arrit me iniciativë të Presidentes, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces, e po ashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët”.

Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca tha se ka “konfirmuar përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, Presidenca njoftoi se Kasanof e ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa Presidenca tha se ajo ka ritheksuar nevojën që dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, solli me vete lajmin se së shpejti do të finalizohet marrëveshja për Dialogun Strategjik.

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit që pati me të kishte thënë se kjo ishte kërkesë e saj e vitit 2021.