Ministria e Infrastrukturës ka publikuar raportin që vlerëson stabilitetin e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
Kjo i hap rrugën autoriteteve kosovare për ta hapur urën, siç kanë synuar javët e fundit nga Qeveria e Kosovës.
Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila gjatë javës së kaluar ka kryer matje dhe teste mbi urë duke përdorur mauna.
Zv. ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se raporti tregon qartë se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.
“Raporti konkludon se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale, dhe mund të përdoret pa asnjë kufizim në ngarkesë,” ka shkruar Durmishi në profilin e tij në Facebook.
Durmishi ka sqaruar se raporti i pranuar sot është preliminar, ndërsa autoritetet do të presin edhe raportin final për të konfirmuar rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin teknik të urës.
Hapja e Urës së Ibrit ka shkaktuar diskutime të gjera, me mbështetje nga njëra palë dhe kundërshtime nga pala tjetër.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për REL se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
Ndërkohë, Bashkimi Europian ka planifikuar të përfshijë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.