Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Deklarohet i pafajshëm djali i biznesmenit që e kishte lënë të vdekur profesorin në një aksident

Deklarohet i pafajshëm djali i biznesmenit që e kishte lënë të vdekur profesorin në një aksident

Në seancën fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për shkaktim të aksidentit në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, si pasojë e të cilit kishte ndërruar jetë tani i ndjeri profesori Ferhat Bejtullahu

Gashi tha se ndjehet tërësisht i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taxive, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës, gjendjes dhe llojit rrugës në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B., ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë (drejtimi i lëvizjes së automjetit), në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion dhe me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore e godet tani të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

Përkundër se e kishte goditur për vdekje profesorin Ferhat Bejtullahi, djali i biznesmenit të njohur, Burim Gashi, ishte lënë i lirë natën që kreu aksidentin.

Biznesmeni Burim Gashi është i njohur për lidhjet e tij të fuqishme me politikën e me grupe të fuqishme të interesit. Ai është pronar i firmës “Agro Llapi”.