Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Deklarohen të pafajshëm drejtori i Urbanizmit në Gjakovë dhe dy zyrtarë të tjerë

Deklarohen të pafajshëm drejtori i Urbanizmit në Gjakovë dhe dy zyrtarë të tjerë

Gjakovë – Arben Bakalli, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Gjakovës dhe zyrtarët Agron Gojani dhe Zenel Shabani, janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzave për korrupsion.

Pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, të akuzuarit Bakalli, Gojani dhe Shabani janë deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, gjykatësi i rastit Ilir Rashkaj njoftoi palët që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtën e parashtrimit të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Sipas aktakuzës, më 10 qershor 2020, në objektin e Komunës së Gjakovës, të pandehurit e lartcekur, duke vepruar si bashkëkryerës e duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për personin Teki Dobruna.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Bakalli, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis në Komunën e Gjakovës, në kundërshtim me ligjin ka lëshuar vendim për leje ndërtimi të ndërtesës shumëbanesore, ndërsa i pandehuri Gojani në cilësinë e urbanistit në Sektorin për Planifikim dhe Rregullim Urban, njëherit bartës i lëndës, pranon që të lëshohet leja e lartcekur.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Shabani, si zyrtar i lartë për çështje juridike pranë kësaj drejtorie, harton vendimin për pajisje me leje ndërtimi sipas kërkesës së personit Teki Dobruna, dhe atë në kundërshtim me nenin 21, par.1 dhe 2 të Ligjit për Ndërtim, dhe në kundërshtim me Planin Rregullues Urban “Jugu 2”, ashtu që me këtë veprim investitorit ia lejojnë ndërtimin e objektit duke ia mundësuar përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së sipërfaqes së objektit prej rreth 563 m2.

Me këtë rast, ata akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 2 lidhur me par.1 dhe neni 31 të KPRK-së.

Themes by WordPress