Analisti Marin Sopi ka reaguar me një deklaratë kritike ndaj politikave rajonale të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, duke ngritur shqetësime për atë që ai e quan rikthim të ambicieve osmane në Ballkan.
Sipas Sopit, politika aktuale e Ankarasë i konsideron popujt që dikur kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane si “mbetje osmane”, duke e lidhur këtë qasje edhe me ngjarje të fundit sportive. Ai përmend shfaqjen e një parulle në gjuhën serbe nga tifozë të klubit turk Fenerbahçe, të cilën e interpreton si pjesë të një simbolike më të gjerë politike.
Në reagimin e tij, Sopi thekson se shqiptarët shihen nga politika turke si më të afërt për shkak të lidhjeve historike dhe fetare, duke shtuar se ideja për rikthimin e ndikimit në Ballkan, sipas tij, është ringjallur pas ardhjes në pushtet të Erdoganit.
Ai gjithashtu pretendon se presidenti turk nuk është distancuar kurrë nga Vëllazëria Myslimane, organizatë që në disa vende konsiderohet e ndaluar apo terroriste, por se, sipas tij, kjo ideologji është kamufluar përmes strukturave politike me emërtime të reja.
Në fund të reagimit, Sopi kritikon qasjen ekonomike dhe politike të Turqisë në rajon, duke deklaruar se Serbia përfiton mbështetje financiare, ndërsa shqiptarëve, sipas tij, u ofrohet “injorancë”.
Deklarata e plotë është publikuar në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik.